Arbëri

Tahiri: S’mund të bëhet tregti me propozimin e qeverisë për pagat e mësimdhënësve

Foto: Driton Paçarada

Besnik Tahiri, koordinator nacional për reformën shtetërore në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se propozimi i qeverisë për rritjen e pagave për mësimdhënësit është e bazuar në kalkulime dhe se nuk mund të bëhet tregti me këtë propozim.

Në Interaktiv të KTV-së, Tahiri ka thënë se përpos rritjes që parashihet me koeficient, mësimdhënësve u është përfshirë edhe shtesa e deritashme në rrogën bazë.

“Secilën kategori të mësimdhënësve e kemi rrit për 0.2 koeficientin. Kjo nënkupton që profesori ka 600 euro rrogë në shkollë të mesme, arsimtarët i kanë 525 euro. Mbi pagën bazë nuk e kanë rritjen, më herët e kanë pas me rritjen shtesë. 421 euro është rroga dhe 63 euro është shtesë, sot është, nesër mund të mos jetë. Tash këtë 63 euron e kemi gjuajtur në pagën bazë dhe 0.2 ia kemi rritë koeficientin”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, kërkesa e SBASHK-ut që të tërhiqet i gjithë ligji nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, “është dëmi më i madh do t’i bëhej vetë mësimdhënësve”.

“Kushtimisht po bie ligji, sipas SBASHKU-ut. Humbin më së shumti 22 mijë mësimdhënës, se ky ligj u nis më 2010 dhe ka rënë. Pastaj u nis më 2012-2013. Ka shkuar poshtë e përpjetë e s’ka pas guxim të kalojë. Më 2015 kaloi, por prapë ka rënë. Për 10 vjet s’ka mundur të institucionalizohet paga e arsimtarit dhe tjerëve. Më së shumti humbin vetë mësimdhënësit”, ka thënë më tej ai. “Ky është vendim i kalkuluar, i matur, i analizuar, propozim që u kemi dhënë. Kjo është ajo që mund të bëjmë”.

Tahiri ka mohuar se po bëhet presion nga kryetarët e komunave drejt SBASHK-ut që mësimdhënësit të ndërpresin grevën.

Ai ka shtuar se me propozimin e qeverisë s’mund të bëhet tregti.

“Ky është propozim. Ky është kalkulimi. Kthejuni ju lutem në shkolla. S’ka mundësi të bëhet treg me këtë. Kjo buron nga analizat. S’ka vendim tjetër për pagat në këto rrethana. Të ulemi e të diskutojmë”, ka shtuar Tahiri.

Tahiri ka thënë po ashtu se me ligjin për pagat do të ulet rroga e kryeministrit dhe kryeparlamentarit, por nuk ka treguar se do të bie ajo. Sipas tij, ndër përfituesit kryesorë do të jenë policët.

Ligji për qeverinë, që sipas Tahirit, sheh reduktim të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave, do të shkojë në Kuvend në fund të marsit. Megjithatë, ka shtuar se nuk e di nëse do të hyjë menjëherë në fuqi.