Arbëri

Para varrit të Rugovës, Haradinaj për taksën thotë “do të shkrihet bora”

Sot në 13 vjetorin e vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova, kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë homazhe te varri i tij, por ka folur edhe për taksën.

“Rugova, me rreshtimin përkrah Perëndimit dhe në miqësi të përhershme me ShBA-në, rideshmoi fuqinë e ideve demokratike shqiptare në shtetkrijim. Në përvjetorin e 13-të të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik, Kosova idealin e tij dhe të shumë brezave e ka kurorëzuar përmes unifikimit, që u manifestua me krijimin e ushtrisë sonë. Ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe të Adem Jasharit tani janë në rresht me ushtritë e paqes, nën flamurin e Republikës së Kosovës. Pusho i qetë, President!”, ka shkruar Haradinaj në facebook pas homazheve.

E gjatë pyetjeve të gazetarëve, Haradinaj ka folur për takimin që do të zhvillohet me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett. Ka thënë se e mirëpret takimin që do të mbahet nesër në mes tij, kryetarit të Kuvendit dhe ambasadorit të Amerikës në Kosovë, ndonëse nuk ka dhënë detaje se çka do të flitet.

"Sa mirë që thatë për nesër, se ne deri nesër kemi me u pa prapë. Nuk po i përzimë mesazhet, por prapë do kemi rastin sot ju lutem. E mirëpres takimin, diçka e mirë, është propozim i Veselit e mirëpres këtë takim", tha ai.

I pyetur nëse më parë do ta hiqte taksën, ose ta rrëzonte Qeverinë, Haradinaj tha se "ka me u shkri bora dikur", transmeton kosovapress.

Kujtojmë se ditëve të fundit janë shtuar presionet nga SHBA-ja për t’u pezulluar taksa e vënë nga Qeveria e Kosovës, ndaj produkteve të Serbisë dhe BeH.