Arbëri

Misioni i vështirë i prokurorit Special Bajrami

Mision tejet të vështirë kishte këtë të martë prokurori Special, Agron Bajrami.

I ftuar për të dëshmuar në rastin e shmangies së tatimit të më shumë se 2 milionë eurove, njëri nga dëshmitarët e Prokurorisë, Avdush Vitia, ka qenë i paqartë dhe kundërthënës gjatë gjithë kohës.

Për më shumë se 2 orë, prokurori Bajrami ka marrë në pyetje dëshmitarin Avdush Vitia, që sipas Prokurorisë, i kishte dhënë me qira lokalin e tij njërit nga të akuzuarit Afrim Rrustolli, të cilit i ishin zënë cigare të kontrabanduara.

Vitia, fillimisht, refuzoi të pranonte deklaratat e tij dhënë hetuesisë gjatë vitit 2016 .

Më pas, Vitia nuk pranonte se e njihte të akuzuarin Argëtim Ismajli dhe refuzonte se kishte kontakte me të.

E, për ta ballafaquar këtë dëshmitar me provat materiale, gjykatësi Burim Ademi mori vendim që në këtë seancë të dëgjoheshin përgjimet e bisedave telefonike ndërmjet të akuzuarit Argëtim Ismajli dhe dëshmitarit Avdush Vitia.

Por, as këto përgjime nuk arritën ta bindnin Vitinë të pranonte se ai njihej me Ismajlin.

E, pas kësaj dëshmie, në orët e pasdites, Prokuroria ka marrë në pyetje edhe dëshmitarin tjetër, Artan Thaçi.

Në këtë aktakuzë të Prokurorisë Speciale, janë të përfshirë rreth 41 persona, në mesin e tyre biznesmenë dhe 4 zyrtarë doganorë, të cilët akuzohen se mes periudhës 2015- 2106 kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale, duke organizuar tri skema të punës, përkatësisht import të kundërligjshëm përmes mosdeklarimit të mallrave dhe kontrabandimit të tyre.

Por, njëri nga avokatët po pretendon se vepra për pjesëmarrje në grup kriminal nuk qëndron.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në këtë rast u janë shmangur pagesave të detyrueshme doganore dhe tarifave tjera në vlerë më shumë se 2 milionë euro.