Arbëri

Sipas Lekajt, çdo gjë është në rregull me Zyrën e Prokurimit në MI, kundërshton Krasniqi

As Policia e Kosovës nuk kishte mundur ta lironte zyrën e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, më 20 nëntor, pasi i ashtuquajturi “Babai i Tenderëve”, Nexhat Krasniqi, ua kishte prezantuar atyre një dokument të Këshillit Mbikëqyrës që i jepte të drejtën ta ushtronte pozitën e tij, raporton KTV.

Por, kur ai kishte shkuar që të ankohej sërish në Këshill për mosmarrëveshjet me shefin e tij të ri, Betim Reçicën, ky i fundi ia kishte ndërruar kyçin e derës duke i pamundësuar atij hyrjen.

Mirëpo, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se gjithçka është në rregull me zyrën e prokurimit në ministrinë e tij.

Ai për emisioni “Puls” të KTV-së, ka thënë se Krasniqi është dorëzuar pasi Këshilli i ka dhënë të drejtë sekretarit Reçica.

Por, deklarata e Lekajt është kundërshtuar nga vetë Nexhat Krasniqi dhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

“Kohavisioni” ka kontaktuar Krasniqi, por ai ka thënë se nuk do të prononcohet derisa çështja të jetë në procedurë. Sipas tij, edhe pse çështja është duke u shqyrtuar nga Komisioni Disiplinor i MI-së, ministria ka marrë veprime konkrete duke ia pamundësuar punën atij.

“Shkarkimi në mënyrë të kundërligjshme, moszbatimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, ndalimi nga Këshilli për sekretarin që mos të marrë asnjë veprim në raport me mua dhe të ma lejojë ushtrimin e detyrës zyrtare. Përkundër kësaj, ai merr veprime administrative, e ndalon hyrjen time në objekt. Ua ndalon të gjithë drejtorëve komunikimin me mua dhe nënshkrimin tim e shpall të pavlefshëm. Me datë 20, thyen cilindrat e zyrës, duke e kontrabanduar dhe futur në zyrën time Valmira Bllacën, edhe përkundër vendimit që unë mund ta kryej detyrën time.

Edhe Këshilli i ka konfirmuar pretendimet e Krasniqit, duke theksuar se e ka kthyer çështjen në komision. Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës, në vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në vendim kishte këshilluar gabimisht Krasniqin që të ankohej në KPMSHCK.

“Meqenëse pala është udhëzuar gabimisht për ankesën, ne kemi trajtuar ankesën e Krasniqit dhe kemi vendosur ta hedhim poshtë si të palejuar dhe e kemi rikthyer çështjen në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave. Ky i fundit është i obliguar ta zbatojë vendimin”, ka thënë Esheref Shabani për KTV-në.

Këshilli e ka rrëzuar edhe përzgjedhjen e ushtruesit të ri të sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, pas ankesës që ka bërë Nebih Shatri, i cili për një kohë të gjatë ishte ushtrues detyre në këtë pozitë.

Lekaj ka thënë se nuk ka shkelur kurrfarë ligji për emërimin e Reçicës dhe se ai mund ta ushtrojë pozitën e sekretarit.

Sidoqoftë, vendimi i Këshilli është dashur të zbatohet më 15 janar, por Lekaj thotë se ka kërkuar pezullim të tij.

Në anën tjetër, edhe Këshilli ka pranuar se kanë marrë kërkesën e Lekajt për shfuqizimin e vendimit, për fatin e të cilit do të vendoset të mërkurën, edhe pse, sipas Shabanit, MI-ja nuk ka ofruar fakte për ta rrëzuar vendimin e tyre.

Sidoqoftë, më 2012-n Gjykata Supreme kishte dhënë një opinion ku edhe kishte sqaruar se vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, që ka të bëjë me kthimin e punëtorëve në vendin e punës, paraqet titull përmbarues për gjykatën.