Arbëri

Opozita në Maqedoni thotë se shpallja e Ligjit për Gjuhët është vepër penale

Rreth shpalljes së Ligjit për Gjuhët në Gazetën zyrtare në Maqedoni ka reaguar edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare duke paralajmëruar se kjo është vepër penale për të cilën mund të përfundohet në burg.

“Paralajmërojmë drejtorin e Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski se shpallja e Ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare është vepër penale për të cilën shkohet në burg dhe të cilën e bartë drejtori i Gazetës zyrtare dhe të gjithë të involvuarit e tjerë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPNE-së lidhur me gjuhët zyrtare në Maqedoni, përcjell “Alsat”.

Nga kjo parti theksojnë se LSDM-ja “edhe njëherë ka dhunuar demokracinë dhe ka shkelur rendin kushtetues në Republikën e Maqedonisë”.

Ligji për Gjuhët u miratua më 11 janar të vitit të kaluar në situatë të tensionuar mes deputetëve. Pas votimit në lexim të dytë me 69 vota për, presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, nuk e dekretoi me arsyetimin se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

Sipas procedurës, Ligji u kthye për rivotim në institucionin ligjvënës. Në lexim të tretë, ai përsëri mori miratimin e shumicës së deputetëve. Pavarësisht kësaj, Ivanovi ka vazhduar të mos e nënshkruajë Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Në bazë të Kushtetutës, pas leximit të tretë, nënshkrimi nga ana e Presidentit s’është i nevojshëm.

Të hënën, kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi nënshkroi këtë ligj duke thënë se është fitore për të gjithë.