Grevë në arsim që nis nesër, sipas SBASHK-ut mund të zgjasë me muaj të tërë

Urim Isma Urim Isma 13 January 2019 19:25

E hëna pritet t’i gjejë në grevë të gjithë mësimdhënësit, ndonëse është dita kur duhet të fillojë gjysmëvjetori i dytë për vitin shkollor 2018/19.

Rritje të koeficientit për të gjithë mësimdhënësit po vazhdon të kërkojë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Përfaqësues të saj, ditë më parë kanë mbajtur takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, pas ultimatumit që i kanë dhënë Qeverisë për rritje të koeficientit. E, deri në realizimin e kërkesës së tyre për ngritje të pagës, dyert e të gjitha institucioneve të arsimit do të mbesin të mbyllura, raporton KTV.

SBASHK-u thotë se greva, e cila do të fillojë të hënën, është rezultat i pagave dhe kushteve diskriminuese që kanë mësimdhënësit. Ajo, sipas saj, mund të zgjasë me muaj.

Madje, Jasharaj thotë se problemi i tyre mund të zgjidhet shumë shpejt, por nuk po ka interesim për plotësim kushtesh nga Qeveria.

Greva, Jasharaj thotë se është përkrahur nga të gjitha institucionet e arsimit, e fajin, sipas tij, për humbjen e mësimit, do ta mbajnë institucionet qeverisëse.

Mirëpo, vendimi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po merr kritika të shumta nga njohës të çështjeve të arsimit.

Një vendim i tillë, sipas tyre, po merret vetëm për interesa personale, e jo për ngritjen e cilësisë në arsim.

Rinor Qehaja thotë se kërcënimet e SBASHK-ut janë të ndërlidhura çdoherë me paga.

Mësimdhënësit, sipas tij, duhet ta shfrytëzojnë të drejtën për grevë, por jashtë orarit mësimor.

Greva, e cila do të fillojë më 14 janar, do të vazhdojë në afat të pacaktuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme