Shala i fton kompanitë kroate të investojnë në Kosovë

Shala i fton kompanitë kroate të investojnë në Kosovë

11 January 2019 16:22

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala me ftesë të Ministrit të Ekonomisë dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Republikës së Kroacisë, Darko Horvat, ka zhvilluar sot takim pune në Zagreb, e temë qendrore ishte marrëdhënia ekonomike në mes dy shteteve dhe mundësia për investime, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Shala i ftoi bizneset kroate për të investuar në Kosovë, transmeton Koha.net.

Më tutje bëhet e ditur se dy ministrat gjithashtu diskutuan dhe u dakorduan që këtë vit të organizohet një forum ekonomik i përbashkët në mes të bizneseve kroate dhe kosovare në Prishtinë, si dhe u dakorduan për rikthimin e Odës Ekonomike Kroate në Prishtinë dhe rikthimin e linjës ajrore Zagreb - Prishtinë, në mënyrë që të rriten shkëmbimet dhe komunikimi në mes të dy popujve.

Shala gjatë kësaj vizite gjithashtu shpalosi mundësitë e shumta që ofron Kosova për investitorët e huaj, për më tepër ai vuri theksin në mundësit e investimeve kroate brenda kuadrit që ofron Ligji për Investime Strategjike.

Homologun e tij Shala e njoftoi edhe për krijimin e zonave ekonomike brenda Kosovës, e që mund të shihet si një mundësi shtesë e investimeve nga bizneset kroate në vendin tonë.

Gjithashtu është zhvilluar një takim i përbashkët me bizneset më të njohura të Kroacisë, në të cilin, Shala para përfaqësueseve të lartë të këtyre kompanive prezantoi shtetin e Kosovës si një mundësi ideale për investimet dhe zhvillimin e bizneseve nga kompanitë kroate.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme