Ambasadorët e Francës, Gjermanisë e Finlandës, diskutojnë me Limajn rreth Dialogut Foto: Ilustrim/Koha

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë e Finlandës, diskutojnë me Limajn rreth Dialogut

10 January 2019 19:23

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh bashkëdrejtues i Delegacionit të Kosovës për Bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj, ka pritur në një takim të përbashkët ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt dhe atë të Francës, Didier Chabert. Gjatë ditës Limaj ka takuar edhe ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjrnvall ku temë e diskutimit ishte dialogu Kosovë- Serbi.

Limaj i ka njoftuar ambasadorët për takimin e Delegacionit Shtetëror të Kosovës me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Tha se në këtë takim Kosova ka shprehur përkushtimin e qartë për dialog, duke shtuar se Kosova është e interesuar të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila në vete ngërthen njohje reciproke mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB, njohje nga pesë vendet e BE-së si dhe hapjen e perspektivës së qartë evropiane për Kosovën.

“Ka qenë një takim i mirë, i frytshëm dhe përshtypjet tona janë të mira. Delegacioni Shtetëror i Kosovës do të bëjë maksimumin që të ketë bashkërendim të plotë me institucionet tjera kushtetuese në vend dhe ne do t'i njoftojmë krerët e institucioneve pas çdo takimi në Bruksel”, ka thënë Limaj.

Ai i ka njoftuar ambasadorët me hapat që po i merr Delegacioni Shtetëror, e me theks të veçantë në formimin e disa grupeve punuese, të cilat do të përbëhen nga ekspertë të fushave të ndryshme, në bazë të temave që do të zhvillohen në Bruksel mes dy vendeve.

Në anën tjetër, ambasadorët Heldt dhe Chabert vlerësuan angazhimin e Delegacionit Shtetëror të votuar nga Kuvendi i Kosovës.

Të dy ambasadorët ofruan ndihmën e vendeve përkatëse për Delegacionin Shtetëror të Kosovës, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, e cila do t'i mbyllte të gjitha temat e hapura.

Ambasadorët inkurajuan Delegacionin që të angazhohet në funksion të bashkërendimit të institucioneve në procesin e dialogut me Serbinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme