Arbëri

Avokatët paralajmërojnë bojkot total në rast të mos-tërheqjes së një rekomandimi nga KGJK-ja

Avokatëve nuk po u pëlqen të kufizohen në gjykatat e vendit.

Për këtë, Oda e Avokatëve të Kosovës ka paralajmëruar bojkot të përgjithshëm, shkaku i një rekomandimi që Këshilli Gjyqësor u ka bërë gjykatave, raporton KTV.

Gjithçka kishte nisur në gusht të vitit të kaluar, kur kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha kishte urdhëruar sigurimin që të mos lejojë futjen e avokatëve e palëve pa ftesa ose leje gojore nga gjyqtari ose kryetari i gjykatës.

Një urdhër të tillë, Hoxha e kishte nxjerrë pas telasheve që i kishte sjellë një avokat. Pasi ishte vlerësuar se urdhri ishte në përputhshmëri me Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Gjykatave, Këshilli ua kishte rekomanduar edhe gjykatave të tjera.

Por, rasti i Prizrenit, sipas kryetarit të Odës së Avokatëve, Osman Havolli, nuk do të duhej të merrej si shkak për të përfshirë gjithë gjykatat e vendit.

Oda e Avokatëve, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues, kërkoi nga KGJK-ja që të tërheqë vendimin, i cili sipas Havollit, nuk ka bazë ligjore dhe është në kundërshtim me parimin e qasjes në drejtësi.

Bojkoti, sipas vendimit të Këshillit, do të nënkuptonte që avokatët nuk do të futen në asnjë institucion, për rastet civile, penale e administrative, derisa nuk tërhiqet rekomandimi.

Drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi, i ka thënë KTV-së se me situatën e krijuar, do të njoftohen anëtarët e Këshillit Gjyqësor, si organ kompetent për të rishqyrtuar ose lënë në fuqi një rekomandim të tillë.