Arbëri

Stoltenberg: Transformi i i FSK-së është çështje e Kosovës, por vendimi s’u mor në kohën e duhur

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se i vjen keq për vendimin e Kuvendit të Kosovës për të miratuar një sërë ligjesh që bënë të mundur transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës në Ushtrinë e Kosovës, pavarësisht paralajmërimeve nga NATO në këtë rast.

"Edhe pse në parim tranzicioni i FSK-së është çështje për të cilën duhet të vendosë Kosova, e kemi bërë të qartë se ky veprim vjen në një kohë të gabuar. Me ndryshimin e mandatit të FSK-së, Këshilli Veri-atlantik duhet të shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në. Të gjitha palët duhet të sigurojnë që ky vendim, i bërë në kohë të gabuar, nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë aktorët politikë në rajon duhet të përqendrohen në përparimin në reforma dhe në dialog. Kam biseduar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe i kam informuar për diskutimin aktual midis anëtarëve të NATO-s ", tha Stoltenberg në një intervistë për gazetën pobjeda të Malit të Zi.

Stoltenberg, përcjell kp, theksoi se është e rëndësishme të përmbahet nga çdo deklaratë apo veprim që mund të çojë në përshkallëzim.

"Në këtë kontekst, unë e mirëpres komunikimin e vazhdueshëm mes komandantit tonë të KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D'Addario dhe kolegëve të tij në rajon, duke përfshirë takimin e tij të fundit në Nish me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe, gjenerallejtënant Milan Mojsiloviq. Ne mbështesim plotësisht procesin e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nëpërmjet një dialogu të mbështetur nga BE-ja. Kjo është thelbësore për paqen dhe sigurinë rajonale, "tha ai.

Sipas tij, siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor janë jashtëzakonisht të rëndësishme për NATO-n dhe Aleanca ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit.