Arbëri

AGK dënon veprimin e policisë ndaj gazetares Ramaj, kërkon që rasti të ndiqet nga Drejtësia

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagon ashpër ndaj veprimit të pjesëtarëve të policisë, të cilët e kanë konfiskuar telefonin e gazetares Saranda Ramaj, pa urdhër të gjykatës.

Ramaj u ndalua nga policia gjatë raportimit për procesin gjyqësor "Syri i Popullit".

Konfiskimi i mjeteve të punës së gazetarëve, është shkelje e rëndë e nenit 4, 5 dhe 6 e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë dhe nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Burimet tona janë të mbrojtura me ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, ku neni 5 decidivisht thekson se:

“Gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias janë të detyruar ta zbulojnë identitetin e burimit të informacionit, siç referohet në nenin 4 të këtij ligji, vetëm me kërkesë të gjykatës kompetente dhe vetëm nëse: zbulimi i identitetit të burimit të informacionit është i nevojshëm për të parandaluar një kërcënim serioz të integritetit fizik me pasojë vdekjen të një ose më shumë personave”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon ashpër këtë veprim të policisë , njëherësh kërkon nga Inspektorati, që të merret seriozisht me shkeljet që sot janë bërë ndaj gazetares së “Koha Ditore”, Saranda Ramaj.

AGK kërkon që ky rast të ndiqet nga organet e drejtësisë në mënyrë që të nxirret një verdikt sa më i drejtë dhe i shpejtë.