Arbëri

Mësimdhënësit me ultimatum për realizimin e kërkesave të tyre

Çanta e mësimdhënëses ishte në bankën e parë. Por jo edhe ajo vetë.

Mësimdhënësja e klasës së dytë u është bashkuar të tjerave në sallën e arsimtarëve, meqë, ashtu siç ishte bërë thirrja, greva kishte nisur në orën e parë.

Në shkollën fillore “Faik Konica”, greva është respektuar në të dy ndërrimet. Kërkesa për rritje të pagave mbetet e njëjtë.

E, drejtoresha e kësaj shkolle tha se, megjithëse nuk është mbajtur mësimi në orën e parë, nxënësit janë angazhuar me detyra nga mësimdhënësi i klasës.

Prindërit e nxënësve kanë thënë se nga këto greva po pësojnë vetëm fëmijët e tyre dhe asgjë tjetër nuk po rregullohet.

Edhe në shkollën “Elena Gjika” pati grevë. Por, këtu, mësimdhënësit kanë qëndruar në klasë bashkë me nxënësit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se me projektligjin për pagat, koeficienti për arsim duhet të jetë 2.6.

Greva njëorëshe në çerdhe u mbajt prej orës 07:00 deri në orën 08:00, kurse në Universitetin e Prishtinës greva u mbajt prej orës 08:00 deri në orën 09:00.

Nëse nuk plotësohen kërkesat, edhe pas kësaj greve njëorëshe, SBASHK-u paralajmëron një grevë tjetër më 14 janar në të gjitha shkollat e Kosovës.