Prishtinë, 21 dhjetor - Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa, ka pritur sot përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së në Kosovë, znj. Alessandra Roccasalvo. Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se ata diskutuan për bashkëpunimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme me UNDP-në në Kosovës.
Ministri Mustafa e ka falënderuar përfaqësuesen e UNDP-së për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë në ngritjen e kapaciteteve për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe në mbështetje të projekteve të përbashkëta.
Në këtë takim u diskutua edhe për projektet konkrete, që është duke i mbështetur UNDP-sa, sa i përket procesit të legalizimit të armëve në Kosovë dhe forcimit të kapaciteteve për siguri kibernetike.
Znj. Alessandra Roccasalvo e njoftoi ministrin për të arriturat dhe planet e projektit të Kosovës për Siguri (KSSP) të UNDP-së, i cili tashmë që 10 vjet mbështet Ministrinë e Punëve të Brendshme në shumë fusha, si dhe u shpreh e gatshme për të mbështetur projekte të tjera të MPB-së.