Arbëri

“Në projektet kapitale gjenerohet krimi ekonomik”

Descriptive Text

Në emisionin “Puls” të KTV-së është diskutuar për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e financave publike të konstatuara nga auditori i përgjithshëm.

Driton Selmanaj, deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se institucionet janë mësuar që pasqyrat vjetore financiare të jenë të rregullta.

Ai tha se fondi qeveritar për emergjenca, prej 3 milionë eurosh, është shpenzuar qysh në tre muajt e parë të vitit, por janë mbi 8 milionë euro vendime që qeveria i ka ndarë për kategori që shpesh kemi ngritur dilema nëse destinimi i tyre ka qenë i drejtë.

“Këto para janë ndarë në ato vende që nesër qeverisë mund t’i kthehen në votë”, tha ai.

Në nivel të komunave, realizimi i rekomandimeve të Auditorit për vitin 2017 ka qenë rreth 25 për qind, kurse në atë qendror në rreth 40 për qind.

Selmanaj tha se ka pasur abuzime, duke përmendur kontratën për stadiumin e Prishtinës, ku thotë se “ka pasur shkelje ligjore, por njerëzit kanë vazhduar të punojnë”.

Sipas tij, Auditori duhet të koncentrohet tek ndërmarrjet e mëdha publike, projektet kapitale, siç janë autostradat, termocentralet e të ngjashme, ku, siç tha, edhe gjenerohet krimi ekonomik, e jo tek ndërmarrjet e vogla buxhetore. Tek këto të fundit, Selmanaj thotë se do të ishte mirë që Auditori të bëjë kontrolle një herë në 4 vjet.

Isuf Zejna nga Demokracia Plus, duke folur për financat publike të komunave, tha se ka kompani që mashtrojnë komunat, me ose pa bashkëpunim të brendshëm, por ka raste kur edhe vet komunat bëjnë keqpërdorime.

“Ka kompani që e mashtrojnë komunën duke i shitur pajisje të shtrenjta. Në Komunën e Prishtinës, për shembull, kemi gjetur se si për furnizimin me qumësht, kriteri ka qenë i hartuar në atë formë që vetëm një kompani i plotëson ato kritere, e që është ‘Vita’ e kompanisë ‘Devolli’. Pothuajse në të gjitha komunat kemi gjetur parregullsi. Nëse një komunë dëshiron të blejë një telefon, kërkon specifikisht emrin e kompanisë prodhuese, që është e kundërligjshme. Duhet të theksohen vetëm specifikat, e pastaj mund të ofrojnë disa operatorë produkte me ato specifika”, ka thënë Zejna.

Ai tha se edhe tek mirëmbajtja e rrugëve janë evidentuar parregullsi.

“Në rastin e Komunës së Gjakovës, kemi gjetur se buxheti për mirëmbajtjen e rrugëve është shpenzuar qysh në vitin e parë, për shkak se Komuna ka porositur vetëm artikuj të shtrenjtë të kontratës. Këtu qëndron sfida më e madhe në mbikëqyrjen e komunave. Kemi rastin në komunën e Vushtrrisë kur kompania i ka sjellë komunës kompjuterë të vitit 2011 e që ua ka shitur si kompjuterë të rinj”, shtoi ai.

Është fakt i ditur se ndërmarrjet publike menaxhojnë keq me paranë publike, tha Zejna.

Besnik Osmani, Auditor i përgjithshëm i Kosovës, tha se raportet e auditimit të këtij viti nuk janë ende publike.

“Kemi një situatë të keqe të ndërmarrjeve publike. Deri në fund të vitit të ardhshëm, presim që të mbulojmë rreth 20 kompani publike për t’i audituar. Ka trend të rritjes së shpenzimeve nga ndërmarrjet publike në raport me vitin e kaluar”, tha ai, duke theksuar se kjo rritje vjen si pasojë e rritjes së pagave dhe dikastereve.

Osmani tha se Prokuroria është interesuar për së paku 40 raste që kanë dalë nga raportet e tyre të auditimit, por ka theksuar se nuk e di nëse hetimet për këto raste janë duke u zhvilluar.