Arbëri

Nga sot Kosova do të ketë përball vetëm Serbinë, thotë Veseli

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, e ka konsideruar lajm të mirë miratimin e sotëm nga ana e Kuvendit, të rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në një adresim para mediave, kryeparlamentari tha se pas vendimit historik të një dite më parë, lidhur me formimin e Ushtrisë së Kosovës, sot Kuvendi ka marrë vendim tjetër të rëndësishëm për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës dhe ruajtjen e partneritetit me BE-në, transmeton Koha.net.

Kreu i Kuvendit tha se votimi për delegacionit shtetëror, do të thotë po sovranitetit, integritetit territorial dhe dialogut në të cilin shkon Kosova, që Serbia ta njoh shtetin e pavarur dhe sovran të saj. Ai tha se shteti i Kosovës do ta ketë vendin e merituar në OKB.

“Jam i lumtur për këtë vendim që është marrë në Kuvend, pasi që, nga maji jam përpjekur të gjej një konsensus ndërmjet partive politike. Sot me një shumicë legjitime dhe shqiptare të Kuvendit të Kosovës, i themi po dialogut me Serbinë. Ky është edhe një lajm i mirë për Kosovën. Jemi të zotët të marrim vendime, të mbrojmë Kushtetutën, territorin e sovranitetin”, theksoi Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se i ka ardhur fundi konflikteve të brendshme, të cilat kanë marrë energji dhe se që nga sot, Kosova do të ketë përball vetëm Serbinë.

Po ashtu Veseli deklaroi se Kosova ka respektuar çdo marrëveshje me Serbinë, por është kjo e fundit që nuk po u përmbahet atyre. ​