Arbëri

Analistët në Maqedoni kërkojnë që Zaevi të ndryshojë deklaratën për ushtrinë e Kosovës

Analistët në Maqedoni vlerësojnë se qëndrimi negativ i kryeministrit Zoran Zaev për formimin e ushtrisë së Kosovës, është bërë me qëllim që Maqedonia të rreshtohet pas deklaratës së Sekretarit Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Juristi Naser Ziberi vlerëson se Zaevi duhet ta tërheqë qëndrimin për ushtrinë e Kosovës, pasi që sipas tij, bie ndesh me vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe me votuesit shqiptarë që mbështetën LSDM-në në zgjedhje.

“Mendoj se kryeministri do të duhet që në periudhën e ardhshme të korrigjohet në këtë drejtim sepse deklarata e tillë bie në kundërshtim me qëndrimin shtetëror të Republikës së Maqedonisë i të cilit shtet ai është kryeministër, bie në kundërshtim me partnerët e koalicionit në emër të cilëve qeverisë, bie ndesh me një numër të konsiderueshëm të votuesve që e ka sjellë në pozitën e kryeministrit zotëri Zaevin, bie ndesh me shumë fqinj të RM-së madje edhe me anëtarë të NATO-s, në rend të parë me Shqipërinë, Kosovën po se po, me SHBA-në dhe të gjitha strukturat ku Maqedonia duhet të integrohet. Me e keqja është se nxit probleme të brendshme”, pohoi Ziberi për Alsat-M.

Edhe Nikolla Dujovski thekson se Zaevi, përmes deklaratës së djeshme, është munduar që të tregojë lojalitetin ndaj NATO-s. Është e natyrshme mbështetja e Kosovës nga partitë shqiptare në Maqedoni, thotë Dujovski.

“Politika e Maqedonisë është që të mbështesë qëndrimin e NATO-s. Tani jemi në një periudhë kruciale kur politika shtetërore ka të bëjë me ndjekjen e politikave të aleancës së NATO-s të cilët qartë thanë se nuk është tani koha e duhur. Partitë politike shqiptare në RM edhe më tej do të vazhdojnë që t’i mbështesin politikat e miqve të tyre në veri por ajo nuk do të thotë se do të ndryshohet politika jonë. Ne nuk jemi pjesë e atij problemi e as nuk mund të jemi e pjesë e ndonjë zgjidhjeje”, deklaroi Dujovski.

Reagime të shumta nëpër rrjetet sociale janë vërejtur edhe nga qytetarët shqiptarë në Maqedoni, ndaj qëndrimit të kryeministrit Zaev, se Kosova ka marr vendim të nxituar për formimin e ushtrisë.