Sot edhe një tentim që dialogun ta marrë Kuvendi Foto: Ilustrim/Koha

Krasniqi: LDK-ja i ndërron qëndrimet më shpesh se sa që ndërron moti në Kosovë

15 dhjetor 2018 08:21
11:15

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Seanca e sotme e caktuar për orën 14:00, ka qëllim që të miratojë Rezolutën për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe sipas tij të qartësojë hisedarët në këtë proces.

Bashkë me këtë edhe miratimin e ekipit të Kosovës në këtë dialog.

“Si PDK e kemi mbështet këtë proces, sepse kemi konsideruar dhe konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të arrihet një konsensus sa më i gjerë që të jetë e mundshme dhe të shkojmë përpara në këtë proces”, ka thënë Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Fatkeqësisht, ka thënë Krasniqi, një pjesë e opozitës ende refuzon që të marrë përgjegjësi.

“I kemi dëgjuar të thonë se duhet një konsensus, e sot kur po arrihet ky, ata po ikin. Ne i ftojmë që të marrin rolin që u takon edhe me Kushtetutë edhe me ligjet në fuqi, në mënyrë që të bëhet përfaqësim më i mirë në dialogun me Serbinë”, ka thënë Krasniqi.

Sa i përket LDK-së, që ishte sot në mbledhje me Kujtim Shalën nënkryetar i Kuvendit e Avdullah Hotin shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Krasniqi ka thënë se “ata i ndërrojnë qëndrimet më shpesh se moti në Kosovë, e moti në Kosovë ndryshon disa herë brenda ditës”.

“Fatkeqësisht nuk kanë qëndrim të qartë për asgjë, e as për këtë çështje. E kanë të qartë vetëm refuzimin për këtë proces shumë të rëndësishëm”, ka thënë Krasniqi, teksa ka shtuar se është me rëndësi që procesi të ketë qartësi, që të gjithë aktorët që të jenë pjesë e dialogut në Bruksel.

11:10

Veseli: Kosova ka legjitimet të dialogojë me Serbinë

Kryekuvendari Kadri Veseli, tha se seanca e jashtëzakonshme e cila mbahet sot në orën 14:00, përveç që ka synim që rolin e dialogut t’ia kthejë Kuvendit, mbahet edhe për tjera arsye.

Seanca e jashtëzakonshme, tha ai, mbahet edhe për t’i treguar Serbisë se Kosova ka mundësinë dhe legjitimitetin të marrë pjesë në dialog e për t’ia bërë të qartë se ne duhet të fitojmë ulëse në OKB, “E që Serbia ta njohë varësinë e Kosovës”.

“Sa i përket procedurave, duhet të kemi parasysh se janë 42 nënshkrime. Do të kemi seancë të jashtëzakonshme në orën 14:00”, tha Veseli.

Image
10:58

Seanca e jashtëzakonshme për dialogun në orën 14

Seanca e jashtëzakonshme për dialogun, do të mbahet sot në orën 14:00.

Këtë e konfirmoi Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu.

Sejdiu tha se PSD-ja, është në tentativë të arrijë një konsensus për dialogun me Serbinë.

“Kuvendi është vendi ku duhet të vendosen të gjitha, edhe platforma edhe të gjitha. Nëse votohet rezoluta, sigurohemi që Kuvendi merr përgjegjësinë për të gjitha vendimet”, tha ai.

“I bëj thirrje edhe LDK-së edhe Vetëvendosjes të marrin pjesë në seancë”, tha ai.

Image
10:37

LDK-ja nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, konfirmoi se LDK-ja, nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për dialogun.

“Nuk mund të ketë platformë, nuk mund të sigurojmë ekip për dialogun. Rezoluta është përpjekje e dështuar e PSD-së për ta mbuluar koalicionin e fshehtë me PAN-in”, tha Hoti, raporton Koha.net.

Ai tha se Grupi parlamentar i LDK-së, nuk merr pjesë në këtë seancë, dhe e theksoi se letra e opozitës drejtuar Federica Mogherit më 12 shtator, tregon se 4 grupet e partive opozitare, e theksojnë qartë tri çështje, njëra ndër to, që Qeveria nuk ka legjitimet dhe nuk mund të zhvillojë dialog.

“Duhet legjitimet para procese të rëndësishme”, tha ai.

Image
10:25

Mblidhet Kryesia e Kuvendit

Ka nisur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të shqyrtohet kërkesa e 42 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme, për miratimin e rezolutës që synon t’ia kthejë Kuvendit rolin kryesor në dialogun me Serbinë.

Siç njofton KTV-ja, në takim mungon Vetëvendosje, përkatësisht shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca.

Image
08:21

Sot edhe një tentim që dialogun ta marrë Kuvendi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot në orën 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e 42 deputetëve që kanë kërkuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e projekt rezolutës për dialogun Kosovë-Serbi.

Pas mbledhje së Kryesisë, Kuvendi menjëherë pritet ta mbajë seancën e jashtëzakonshme.

Mbrëmë, edhe kryekuvendari Kadri Veseli njoftoi se është arritur konsensus mes partive politike. Mësohet se marrëveshja për kalimin e tyre është arritur në mes të Partisë Socialdemokrate dhe pozitës.

Koha.net ka provuar të marrë një qëndrim nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, si parti në opozitë, për të mësuar nëse janë pjesë e këtij konsensusi, por s’ka marrë përgjigje nga asnjëra palë.

Sipas rezolutës e cila pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës lidhur me dialogun me Serbinë, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti do të jetë bashkëkryesues i këtij procesi bashkë me Fatmir Limajn e Nismës Socialdemokrate.

Ditë më parë, nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri konstatoi se procesi i dialogut është i pranueshëm vetëm nëse rezulton me njohjen e ndërsjellë të palëve të përfshira në këtë proces, me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB dhe me përshpejtimin e proceseve integruese të shtetit tonë në NATO dhe BE. Ai nënvizoi se në këtë proces, roli qendror i takon Kuvendit të Kosovës, që duhet ta votojë Delegacionin Shtetëror, ku detyrat, përgjegjësitë e kompetencat e tij definohen dhe saktësohen me projekt-ligjin e propozuar nga PSD, Nisma dhe Alternativa.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme