Arbëri

Serbët në panik nga ushtria, Lista Serbe do që ajo të mos ia mësyjë veriut e Daçiqi takim në OKB

Serbët janë në panik, pasi që Kuvendi i Kosovës votoi ligjet që i hapin rrugë transformimit të FSK-së në ushtri.

Lista Serbe e cila nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit, mbajti në fakt një konferencë për media nga ajo që e quajti si Shtabi i Krizës. Nga aty, qytetarëve serbë iu drejtuan kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq dhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq.

Të dy ata kërkuan që serbët të përmbahen e të mos bien pre e provokimeve, por thanë se asnjë forcë e armatosur nuk ka vend në veri.

“Në Prishtinë në praninë e të gjithë përfaqësuesve ndërkombëtarë, para syve të OKB-së e BE-së, u shkel Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Në formën më brutale, Prishtina sulmoi paqen në këtë rajon. Jua përkujtoj se forcat e armatosura përpos KFOR-it që me Rezolutën 1244 kanë mandat, asnjë fuqi tjetër nuk ka çfarë të kërkojë këtu”, ka thënë Goran Rakiq, kryetar në dorëheqje i Mitrovicës Veriore.

“Është situatë e jashtëzakonshme dhe nuk mund të parashohim aktivitetet në Prishtinë. Sidoqoftë, nëse është nevoja, ne vetë do ta mbrojmë popullin tonë, por e dimë se Serbia është me ne. Ajo çfarë ndodhi sot në Prishtinë, është në kundërshtim me çdo ligj”, ka thënë Igor Simiq, deputet i Listës Serbe.

Lista Serbe po ashtu, paralajmëroi se për këtë votim në Kuvend, do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese.

Në anën tjetër, reagime të ashpra kishte edhe në Beograd. Qeveria serbe e ka dënuar në mënyrën më të ashpër vendimin e Prishtinës për themelimin e ushtrisë dhe vlerësoi se ky është deri tash kërcënimi më i madh nga Prishtina për paqe në rajon.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka thënë se “kjo ushtri e përbërë nga terroristët”, sipas tij, u formua që të sulmohet Serbia e serbët. E, shefi i Zyrës së Kosovës në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bëhen pjesë e ushtrisë.

“Ushtria e Kosovës është formacion ilegal i okupimit në territorin serb. Karakteri i këtij formacioni është i qartë. Vendimi për formimin e ushtrisë ka për qëllim ndryshimin e dhunshëm të kufijve tanë. U bëj thirrje qytetarëve serbë e shqiptarë në Serbi që të mos rreshtohen në këtë formacion ilegal. Organet serbe kanë për detyrë të konfirmojnë identitetin e atyre që bëhen pjesë e këtij formacioni dhe t’i arrestojnë”, ka thënë Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, gjatë së premtes, ka kërkuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të KS të OKB-së, shkaku i shkeljes së Rezolutës 1244.

“Ky është kërcënimi më direkt ndaj paqes e stabilitetit në rajon dhe sigurisë së popullit serb që jeton në Kosovë”, ka thënë ai.

E këtë rezolutë, gjatë një aksioni për të kundërshtuar formimin e ushtrisë së Kosovës, studentët në veri të Mitrovicës e kanë varrosur bashkë me marrëveshjen ushtarako-teknike të Kumanovës.