Kompania amerikane do të mbikëqyrë hekurudhat e Kosovës Foto: Ilustrim

Kompania amerikane do të mbikëqyrë hekurudhat e Kosovës

13 December 2018 21:21

Kompania amerikane “Hill International” ka njoftuar se është zgjedhur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të siguruar, si lidere e një ndërmarrjeje të përbashkët, shërbimet e mbikëqyrjes për përmirësimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë – Han i Elezit.

Projekti pritet të përmirësojë lidhjen hekurudhore mes Kosovës dhe rrjetit më të gjerë evropian përmes korridorit X, që lidh Fushë Kosovën me kufirin me Maqedoninë.

Kontrata aktuale i referohet fazës së parë, nga tri të tilla që financohen nga BERZHI dhe Korniza së Bashkimit Evropian për Investime në Ballkanin Perëndimor, që do të zgjasë 48 muaj dhe përfshin rregullimin e përmirësimin e 64 kilometrave hekurudhë për t’iu përshtatur standardeve të Evropës për shpejtësi deri 120 kilometra për orë, për dallim nga ajo aktuale që është 40-60 km/orë, shkruan “euroinvestor”, transmeton Koha.net.

Në vitin 2026 kosovarët do të udhëtojnë me tren në vendet evropiane

“Jemi krenarë që kemi ndihmuar zhvillimin e madh infrastrukturor në Kosovë për gati dhjetë vjet, që e bën ‘Hill International’ kompaninë më të madhe ndërkombëtare aktive në vend për projektet infrastrukturore. Presim të kemi përkrahje për programin e tillë për të gjithë rajonin”, ka thënë Panagiotis Methenitis, drejtor menaxhues në “Hill International”.

Sipas njoftimit nga kjo kompani, ekipi i “Hillit” do të bashkëpunojë ngushtë me Infrakosin, për gjithçka lidhur me projektin.

“Hill International” është kompani amerikane me rreth 2000 profesionistë në më shumë se 50 zyra nëpër botë. Ajo merret me menaxhim të programeve, ndërtimeve dhe shërbimeve tjera konsulente për klientët në tregje të ndryshme. Së fundmi u zgjodh kompania e tetë më e madhe e ndërtimit në SHBA.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme