Arbëri

Pacolli kërkon nga Gjermania ndihmë për liberalizimin e vizave

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka takuar homologun e tij gjerman, Heiko Maas.

Takimi u zhvillua në Strasburg, ndërsa kryediplomati kosovar, Pacolli, kërkoi nga Gjermania të tregojë lidership për shtyrjen e procesit të liberalizimit të vizave.

“Me homologun tim gjerman, Heiko Maas, u dakorduam për një vizitë timen në Berlin në ditët e ardhshme. Gjermania duhet të tregojë lidershipin e vet dhe të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, pas përmbushjes së secilit kriter të vendosur. Kjo ishte edhe tema me të cilën biseduam në Paris me ministrin e jashtëm të Gjermanisë”, ka thënë Ministri i Jashtëm, Pacolli.

Gjatë qëndrimit në Francë, Pacolli ka marrë pjesë në konferencën franko-gjermane të luftës kundër trafikut të armëve të zjarrit në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka zhvilluar disa takime edhe me homologë të tij.