BE-ja mbështet ndryshimin e kufijve si zgjidhje, por jo ndarje në vija etnike Foto: Këshilli i Bashkimit Evropian

BE-ja mbështet ndryshimin e kufijve si zgjidhje, por jo ndarje në vija etnike

10 December 2018 17:15

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mohgerini, tha se zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet vetëm mes dy vendeve të përfshira në dialog, dhe se asnjë shteti anëtar të BE-së, e as ndonjë shteti tjetër kudo në botë, nuk i takon të gjejë zgjidhjen për normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve.

Këto komente, Mogherini i bërë në një konferencë për media pas takimit që pati me ministrat e Jashtëm të Shteteve Anëtare të BE-së, kur u pyet nga korrespodenti i Grupit KOHA në Bruksel, Augustin Palokaj, në lidhje zgjidhjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe për idenë e ndryshimit të kufijve.

“Dialogu duhet të vazhdojë dhe të ketë përfundim pozitiv, këtë ne e kemi mbështetur. Përfundimi pozitiv do të ishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese që do t’i adresonte dhe do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve – të gjitha, pa përjashtim. Dialogu nuk i takon Bashkimit Evropian e as Shteteve Anëtare, dialogu lehtësohet nga ne me mbështetje të plotë nga institucionet evropiane, por dialogu i takon dy palëve. Ne u ofrojmë atyre lehtësim, hapësirë, këshilla, por u takon atyre të definojnë agjendën, shpejtësinë the thellësinë e dialogut dhe, sigurisht, u takon atyre të gjejnë zgjidhjen përmes dialogut. Nuk u takon shteteve anëtare të thonë se cili do të jetë përfundimi i dialogut. Ajo që është relevante për BE-në dhe që ka qenë shumë e qartë që nga fillimi, është se rezultati që do të mirëprisnim do të ishte ai që do t’i adresonte të gjitha çështjet e normalizimit të marrëdhënieve në një mënyrë ligjërisht obliguese, që respekton parimet e ligjit ndërkombëtar të BE-së”, tha Mogherini, ndërsa potencoi se për BE-në, ndarja në vija etnike si zgjidhje mes dy vendeve është e papranueshme, raporton Koha.net.

“Asnjë ndarje etnike mes vendeve nuk do të tolerohet. Çfarëdo korrigjimesh që palët diskutojnë në të ardhmen, unë besoj se nuk do të përfundonin në ndarje të pastra etnike. Në çdo rast, dy vendet do të jenë shtete multietnike. Cilado që të jetë zgjidhja e pranueshme nga të dyja palët, u takon atyre ta definojnë, të pajtohen dhe të përcaktohen, e neve na takon ta lehtësojmë dhe të shohim se a po arrihet kjo apo jo, gjë që s’ka ndodhur deri më tani”, potencoi përfaqësuesja e lartë e BE-së, njëherësh ndërmjetëse e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ajo u shpreh e bindur se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese mund të arrihet, por tha se momentalisht janë disa vështirësi që janë goxha të mëdha.

“Do të përmendja në veçanti faktin se Qeveria e Kosovës ka ngritur taksat në 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja, që shkon kundër bashkëpunimit regjional dhe dialogu duhet të zhvillohet në mirëbesim apo së paku në respekt. Prandaj, pres nga Qeveria e Kosovës të tërheqë këtë vendim, njëjtë siç ka kërkuar komisionari Hahn në Prishtinë këtë muaj, por ende besoj se dy palët, jo vetëm se do të vazhdojnë dialogun, por do të nxjerrin një përfundim pozitiv nga ai. Kjo u takon vetëm palëve, dhe askujt tjetër, as shteteve anëtare të BE-së e as ndonjë shteti tjetër kudo në botë”, u shpreh ajo në fund të përgjigjes dhënë Grupit KOHA.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së kanë konkluduar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është i bllokuar, konfirmoi pas takimit, ministrja e Jashtme e Kroacisë, Marija Pejçinoviq Buriq.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme