Në shkurtin e vitit të kaluar, kur Kuvendi i Kosovës tentoi t’i japë rrugë krijimit të ushtrisë, brenda pak ditësh në Prishtinë erdhën shumë zyrtarë të lartë të NATO-s.
Shefi ushtarak dhe ai politik i Aleancës dhanë mesazhin e tyre, duke treguar se ardhmja e FSK-së është politikë e brendshme, por se marrëdhëniet e NATO-s pas krijimit të ushtrisë, mund të ndryshonin. E ky mesazh ka vazhduar të mbetet i njëjtë.
“E thashë edhe më parë që NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës brenda mandatit ekzistues. Për ndryshimin e mandatit të saj, vendosin institucionet vendore, por nëse ndërrohet misioni, atëherë për këtë, mblidhet dhe vendos këshilli i NATO-s”, kishte thënë Jens Stoltenberg, Sekretar i NATO-së, më 03.02.2017.
Më 21.02.2017, gjenerali Curtis M. Scaparrotti, Komandant Suprem i Forcave Aleate për Evropë kishte thënë se “Forca e Sigurisë së Kosovës është organizatë profesionale, e cila punon brenda mandatit të saj dhe kjo është mënyra më e mirë për të garantuar se këtu ka siguri dhe po funksionon shumë mirë në mjedisin e siguruar nga KFOR-i. Të gjithë duhet ta kuptojnë se transformimi në ushtri është çështje e brendshme, por edhe duhet mbajtur mend që objektivi i organizatës është stabiliteti. Fillimisht stabiliteti në rajon”.
Por, deputetët nuk e shohin aspak shqetësuese deklaratën e Sekretarit të NATO-s, dhe telefonatat e tij bërë kryeministrit Haradinaj.
Rexhep Selimi, nënkryetar i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e FSK-së, thotë se u konsultuan me shumicën e shteteve anëtarë të NATO-s dhe kanë marrë sinjale për votimin e saj.
Sipas Skënder Perteshit nga Qendra Kosovare për Studimin e Sigurisë, Kosova në fakt nuk ka partneritet direkt me NATO-n, pasi KFOR-i është në Kosovë bazuar në rezolutën 1244.
I fundit nga NATO, që në Prishtinë pranoi se FSK-ja do të bëhet ushtri, ishte ish-komandanti i KFOR-it, Gjen. maj. Salvatore Cuocci.
“Kur ndërtohet ushtria, ajo ndërtohet prej zeros dhe nuk do të jetë proces një ditor. Pra, ju duhet buxhet, kohë, trajnime, pajisje. Pra, është diçka që duhet ndërtuar ndër vite”, kishte thënë ai.