LDK-ja e VV-ja me vendim të përbashkët

Në rast të një liste me këdo, LDK-ja s’e jep kryeministrin e prijësin e listës

06 dhjetor 2018 20:07
21:12

Cilado parti që niset të kërkojë koalicion me LDK-në, një gjë duhet ta ketë të qartë - kandidati për kryeministër dhe prijësi i listës nuk mund të preken.

Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës, në një intervistë për Rubikon të KTV-së bëri të ditur se është qëndrimi i palëkundshëm i tyre.

“Në asnjë rast nuk do të bëjmë marrëveshje me askënd në qoftë se kandidati i LDK-së nuk do të jetë kandidat për kryeministër dhe kryesues. Kjo nuk negociohet. Mendoj se kemi të drejtë në këtë, në zgjedhjet e fundit lokale kemi dal partia e parë, njëjtë edhe në sondazhe”, ka thënë ai.

Mustafa nuk përjashton mundësinë që mund të jetë kandidat për kryeministrin e ardhshëm.

“Në qoftë se kemi zgjidhje më të mirë që përqafohet më shumë nga opinioni atëherë unë jam i gatshëm çdo herë të lëshoj pe dhe të gjejmë zgjidhje”.

20:58

Mustafa flet për koalicionin e kaluar me PDK-në, tregon se a mund të ndodhë më

I pyetur për bashkëpunimin me PDK-në, ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se është çështje e Këshillit të Përgjithshëm të vendosë nëse do të vë vija të kuqe apo jo.

Sipas tij, në qoftë se Këshilli vendos atëherë për të do të jetë e pranueshme.

“Asnjë nuk i përjashtojmë, për PDK-në mbetet çështje e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, sepse megjithatë këshilli vendos. Në qoftë se nesër Këshilli vendos që nuk ka vija të kuqe për askënd atëherë unë e pranoj çdo vendim të Këshillit”.

Mustafa kujton se ishte vendim po i këtij Këshilli edhe koalicioni që kishin bërë me Partinë Demokratike për krijimin e qeverisë.

“Në asnjë rast nuk kisha hy unë pa e pas përkrahjen e pjesës dërmuese të Këshillit Përgjithshëm, që është organi më i lartë edhe mes dy Kuvendeve, i cili edhe më status vendos”.

“Shkuam se u bllokuam, kishim edhe sugjerime të partnerëve ndërkombëtarë se duhet të dalim prej kësaj situate”.

20:46

LDK shkon e vetme në zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që të shkojë vetë në zgjedhje. Kryetari i këtij subjekti, Isa Mustafa bëri të ditur se nuk kanë bërë asnjë marrëveshje dhe nuk janë përcaktuar për asnjë koalicion.

Ai theksoi se nuk kanë vënë vija të kuqe mirëpo nuk do të bëjnë koalicion me ata siç tha Mustafa, që i tradhtuan duke iu drejtuar Partisë Demokratike.

“Do të hyjmë vetë në zgjedhje mirëpo s’e kemi problem me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj kush e merr të drejtën për nominimin e kandidatit të kryeministrit të vendit dhe ne do të kemi kujdes edhe aty sepse do të hyjmë në zgjedhje por do të hyjmë që të fitojmë dhe jo veç sa për të hy në zgjedhje”, ka thënë Mustafa.

“Nuk jemi përcaktuar për koalicion, as me Vetëvendosjen, por do ta diskutojmë. Vija të kuqe nuk kemi vënë por nuk do të bëjmë koalicion me ata që na kanë tradhtuar”, ka thënë Mustafa duke iu drejtuar koalicionit që kishin me PDK-në.

20:26

LDK-ja nuk e voton asnjë marrëveshje të dialogut pa shkuar në zgjedhje

Para se vendi të shkojë në zgjedhje dhe të krijohet institucionet e reja të Kosovës, Lidhja Demokratike nuk do ta votojë as edhe një marrëveshje e cila mund të vijë nga presidenti Hashim Thaçi apo Ekipi Negociator.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se ata do të jenë pjesë e dialogut, mirëpo pas zgjedhjeve.

“Thaçi mund të dialogojë, edhe pse s'ka të drejtë ta bëjë, dialogon qeveria dhe jo Thaçi. Mirëpo, ajo marrëveshje që vjen nga Thaçi në Kuvend, ai duhet ta dijë atë që, edhe Thaçi, edhe të tjerët që po insistojnë se LDK-ja nuk do ta votojë, asnjë marrëveshje për të cilën nuk jemi marrë vesh paraprakisht”.

“Gjithsesi, ne do të jemi pjesë e dialogut, pavarësisht sa do të marrim vota, kur të hyjmë në proces zgjedhor, ne do t'i themi opinionit se ne do të jemi pjesë e dialogut. Për neve, dialogun duhet ta udhëheqin institucionet e Republikës së Kosovës”.

20:17

Mustafa: Dialogu të ndalet ose të ngrihet përkohësisht

Pas pothuajse 7 vitesh prej kur kanë filluar bisedimet me Serbinë, aktualisht Kosova gjendet në fazën kur kërkohet që ky dialog të ndalet apo të ngrihet përkohësisht.

Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës thotë se dialogu duhet të ndalet deri sa të krijohet një ambient më i përshtatshëm dhe kjo përmes mbështetjes dhe ndikimit të forcave ndërkombëtare.

Ai tha se edhe brenda vendit duhet fillimisht të rishikohet procesi dhe të vendoset se çfarë do Kosova prej këtij procesi e jo të bëhen gara se kush po i bashkohet ekipit negociator.

“Përkohësisht duhet të ndalet, të ngrihet ose të shtyhet. Përderisa Serbia po bën fushatë kundër pavarësisë së Kosovës atëherë është absurde që ne të ulemi me Serbinë për të kërkuar njohjen e Kosovës sepse ata po të mendonin me njoftë atëherë nuk do të bënin fushatë për ç'njohje”, ka thënë Mustafa.

“Duhet të bisedojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në mënyrë që ata ta bindin ose të ushtrojnë ndikim te Serbia të ndalet një herë sepse duhet të krijohet një atmosferë për dialog dhe ne atmosferë për dialog s'kemi përderisa Daçiqi vrapon për të tërhequr njohjet e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

“Ne duhet t'ia sqarojmë vetvetes se çka duam nga ky dialog. Nuk duhet të bëjmë gara se kush t'i bashkëngjitet ekipit të dialogut”.

20:07

LDK-ja e VV-ja me vendim të përbashkët

Fjala e fundit e Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi situatës në të cilën gjendet vendi, janë zgjedhjet.

Madje, kryetari i partisë, Isa Mustafa në një intervistë ekskluzive për Rubikon të KTV-së ka thënë se ky vendim i tyre është i akorduar edhe me Vetëvendosjen.

“Ne vlerësojmë se domosdoshmërisht duhet të shkojmë në zgjedhje, vlerësojmë se kjo qeveri nuk po i bën mirë këtij vendi, kemi ndërhyrje në komisione të pavarura nga qeveria, kemi dështime në politikën e jashtme, dështimet më të mëdha janë veprimet që po i ndërmerr Serbia për tërheqjet e njohjeve, mosanëtarësimi në INTERPOL”, ka thënë Mustafa.

“Qëndrimi i LDK-së por edhe i akorduar me Vetëvendosjen ka qenë që të mblidhet Kuvendi edhe të merret vendimi, ose të shpërbëhet Kuvendi, ose të japë dorëheqje”, ka thënë Mustafa.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Artan07/12/2018 10:30

a vec per karrige lufton LDK-ja?

Shto koment

Të ngjashme