Deputetët për buxhetin: Ekonomia reduktohet në asfalt

Deputetët për buxhetin: Ekonomia reduktohet në asfalt

06 dhjetor 2018 15:37

Pas prezantimit të projektbuxhetit, ka vazhduar debati i përfaqësuesve të subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës. Opozita tha se është buxhet që reduktohet në infrastrukturë, ndërsa pozita tha se krahasuar me vitin 2017, buxheti është më i lartë për 36 për qind ose 600 milionë euro.

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu tha se për 18 vite është parë konstrukti i njëjtë buxhetor.

“Ajo që është brengosëse është që ekonomia reduktohet në infrastrukturë dhe ajo infrastrukturë, reduktohet në asfalt, ndërsa punësimi, krijimi i vlerës së shtuar, beteja kundër një deficiti tregtar të jashtëzakonshëm e që na përcjell tash e 10 vite nuk shihet që trajtohet në ndonjë instrument politik, ndonjë intervenim politik të paraqitur në buxhet. Buxheti thjesht është një vazhdimësi e konstruktit ekonomik të 18 viteve të fundit“, tha ai.

Blerim Kuçi nga AAK tha se buxheti është për i lartë se viti 2018 për 12 për qind.

“Buxhet i cili krahasuar më vitin 2017 është për 36 % më i lartë ose e kthyer në vlerë monetare 600 milionë euro më i lart, kjo as që ka ndodhë as që ka me ndodh ndonjëherë për një periudhë kaq të shkurtër të kemi një rritje kaq të madhe të buxhetit në tërësi“, tha ai.

Enver Hoti nga Nisma Socialdemokrate tha se duhet përshëndetur masat kundër informalitetit.

“Po ne mendojmë që ende jemi në deficite të papërshtatshëm në raportet eksport-import. Kërkojmë ende masa shtesë në sektorin e bujqësisë dhe kjo nuk jemi atje ku dëshirojmë por të gjitha këto do të trajtohen dhe zhvillohen gradualisht“, tha ai.

Safete Hadergjonaj në emër të PDK-së, tha se lavdëroi orientimet buxhetore por kritikojë komunat të cilat si duket janë mësuar të marrin grante nga qeveria qendrore.

“Në projektbuxhetin e vitit 2019 shihet që qeveria është e përcaktuar për ta realizuar programin e saj për një shtet me më shumë drejtësi, me më shumë mundësi, për zhvillim ekonomik, për më shumë punësim, për më shumë stabilitet makrofiskal, për më shumë përgjegjshmëri në menaxhimin e financave publike“, tha ajo.

Sipas saj, nga buxheti është paraparë që në infrastrukturë rrugore të investohen mbi 30 për qind.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme