Arbëri

Tre kryetarë komunash përmbushin 9 nga 108 premtimet e bëra

Pak premtime kanë përmbushur tre kryetarë të komunave të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Fushë-Kosovë e Obiliq). Nga 108 premtime të bëra gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, sipas Institutit për Studime të Avancuara GAP, deri në muajin korrik krerët komunalë i kanë përmbushur vetëm 9 prej tyre.

Ndërkohë, 8 i kanë gjysmë të përmbushura, 41 i kanë filluar dhe pjesa tjetër nuk kanë filluar ende. Numrin më të madh të premtimeve e ka kreu i Fushë-Kosovës, Burim Berisha, 42, pastaj ai i Obiliqit, Xhafer Gashi, 34 dhe në fund Agim Veliu i Podujevës me 32 premtime. Në këtë platformë nuk figuron kreu komunal i Graçanicës, Sërgjan Popoviq. Hulumtuesi i lartë në këtë Institut, Bekim Salihu, ka thënë se Komuna e Graçanicës njësoj sikur të gjitha komunat e udhëhequra nga minoriteti serb kanë marrë pjesë në zgjedhje, por nuk kanë zhvilluar fushatë aktive.