Hoxha: Nga 36 amendamente të ligjit për shoqërinë civile, deri 20 janë problematike

Hoxha: Nga 36 amendamente të ligjit për shoqërinë civile, deri 20 janë problematike

03 December 2018 23:47

Taulant Hoxha nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri Civile ka thënë se deri 20 nga 36 amendamentet e ligjit për shoqërinë civile janë problematike.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se ka edhe pika që rrezikojnë funksionimin e organizatave joqeveritare. Së fundmi, Zyra e Presidentit ktheu sërish në Kuvend këtë ligj, që u miratua në nëntor.

“Nga 36 amendamente, 15-20 janë problematike, madje disa të rrezikshme për funksionimin e sektorit joqeveritar. Ka të bëjë me pikën që pasuria e OJQ-së duhet të mbetet brenda organizatës. Kjo që ka ndodhë me ndryshime të datës 7 nëntor, te neni që thotë se një OJQ nëse shuhet mund t’ia japë buxhetin një OJQ-je tjetër i është shtuar një fjalë ose ‘një Institucioni’, që do të thotë se një OJQ mund të mbyllet me vendim të organit më të lartë dhe e gjithë pasuria e vet qofshin karrige apo miliona mund t’i jepen biznesit privat. Biznesi privat është e kundërta e parimit nga OJQ-të se ne themelohemi për të mos fituar e bizneset për të fituar”, ka thënë ai.

Me këtë ligj, Hoxha ka thënë se do të legalizohej një praktikë shumë e keqe në vend.

Ai ka shprehur habinë pse shoqëria civile pavarësisht pjesëmarrjes disavjeçare në hartimin e ligjit u përjashtua nga Komisioni për Administratë, që udhëhiqet nga Nait Hasani i PDK-së.

Hoxha ka përsëritur kërkesën që ligji të aprovohet sipas kërkesës së shoqërisë civile. I është drejtuar opozitës, duke thënë se pret që ata të jenë në Kuvend për të votuar ndryshimet e propozuara, përndryshe ka paralajmëruar dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme