Arbëri

LVV-ja e LDK-ja s’e përkrahin propozimin e PSD-së që opozita t’i bashkohet ekipit negociator

Partia Socialdemokrate po kërkon që delegacioni për dialogun Kosovë-Serbi të drejtohet nga dy përfaqësues të opozitës, por Lëvizja Vetëvendosje thotë se është e fokusuar në përmbajtje të dialogut.

Sami Kurteshi thotë se rezolutat në Kuvendin e Kosovës nuk janë duke u respektuar aspak.

Partia Socialdemokrate ka dërguar në Kuvendin e Kosovës një projektrezolutë, në të cilën synohet që delegacioni shtetëror, të bashkë-drejtohet prej dy përfaqësuesve që vijnë nga radhët e opozitës, dhe të koalicionit qeveritar.

Mirëpo, një gjë të tillë nuk po e shohin prioritet, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje e as LDK-së, për të cilët më me rëndësi se rezoluta, është përmbajtjen e dialogut.

Koha.net pati raportuar edhe më herët që opozita nuk dëshiron të jetë bashkëkryesuese e dialogut

“Ne i kemi trajtu rezolutat, janë bërë edhe debate publike në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Për Lëvizjen Vetëvendosje nuk është çështja vetëm i një rezolute siç thashë më herët nuk e sheh çështjen as grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjes, të shkoqur apo të ndarë, pjesën e një rezolute nga veprimet tjera, do të thotë, dialogu, përgatitja e një dialogu edhe përmbajtja e atij dialogu, edhe ju e dini qysh ka kalu kjo rezolutë”, ka thënë Kurteshi për kosovapress. 

Tutje ai ka thënë po ashtu se është ndërtuar një sistem në Kosovë, sipas të cilit, rezolutat e Kuvendit të Kosovës nuk respektohen. Siç tha ai, bëhen si të tilla vetëm që të mos respektohen.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se vetëm zgjedhjet e reja sigurojnë legjitimitetin e atyre që e udhëheqin Kosovën dhe e përfaqësojnë në dialog.

“Kjo vlen edhe për PSD-në para se të bëhet pjesë e çfarëdo ekipi negocues. PSD-ja duhet përmes zgjedhjeve të reja të verifikojë 12 mandatet që ka në Kuvend, ngase janë mandate të fituara nga një parti tjetër. Vlerësoj se verifikimi i legjitimitetit është i domosdoshme për qëndrueshmërinë e demokracisë në Kosovë dhe të PSD-së gjithashtu”, ka shkruar ai.

Partia Social Demokrate po ashtu në propozimin e saj, ka kërkuar edhe formimin e një Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrje të dialogut.

Në këtë kohë, kur kjo e fundit kërkon një gjë të tillë, Lidhje Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kërkojnë që vendi të shkoj në zgjedhje sepse institucionet e kanë humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin e tyre