Arbëri

Gjuriqi i reagon Hoxhajt: Zbuloi qëllimet e vërteta të kriminelëve në Prishtinë për Shqipërinë e Madhe

Foto: Koha

Enver Hoxhaj zbuloi qëllimet e vërteta të kriminelëve në Prishtinë për Shqipërinë e Madhe duke thënë se qëllimi i tyre është shkatërrimi i Serbisë dhe krijimi i një koalicioni armiqësor anti-serb në rajon.

Kështu u shpreh shefi i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Ai tha se atyre, duke iu referuar politikanëve në Kosovë, “më nuk u interesojnë as të drejtat e shqiptarëve, as vetëqeverisja në Kosovë e Metohi, dëshirë e tyre, siç ka thënë Enver Hoxhaj, është pakti rajonal kundër Serbisë”, transmeton Koha.net.

Gjuriqi shton se “me këtë [deklaratë] ka konfirmuar të gjitha ato që e kemi paralajmëruar bashkësinë ndërkombëtare viteve të fundit – se elita politike shqiptare në Prishtinë si qëllim kryesor ka dominimin shqiptaromadh në rajon”.

Shefi i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi thotë se “për dallim nga separatistët prishtinas, të cilët dëshirojnë të ndërtojnë pakte kundër dikujt, e pakte të tilla nuk bëhen në mënyrë që të jetohet me dikë në paqe, Serbia vazhdimisht insiston në liberalizim të plotë të mallrave, një treg të përbashkët rajonal dhe hapje të kufijve”.

“Serbia nuk dëshiron të bëhet hegjemoni rajonale, por oazë e stabilitetit dhe normalizimit, dëshiron zhvillim të përbashkët shoqëror e ekonomik të të gjitha shteteve dhe popujve në rajon, dhe me asnjë veprim të saj nuk ka treguar se ka ndonjë qëllim të pasinqertë apo, larg qoftë, qëllime agresive ndaj kujtdo në rajon”, deklaroi Gjuriqi.

Sipas fjalëve të tij, Hoxhaj është një prej atyre që paqen e kanë armikun kryesor, e i cili mundësinë e mbijetesës në politikë e sheh vetëm përmes destabilizimit dhe konflikteve, “sepse asgjë tjetër nuk mund t’u ofrojnë bashkatdhetarëve të tyre”.

“Serbia dhe populli serb në Kosovë e Metohi do t’i mposhtë kriminelët e luftës, si Hoxhaj, përmes rezistencës paqësore e demokratike, dhe në atë mënyrë tregojmë, jo vetëm se jemi të përgjegjshëm ndaj të ardhmen sonë, por se jemi edhe më të përgjegjshëm për fatin e shqiptarëve sesa për ata që vendosin në emër të tyre”, tha Gjuriqi, duke përfunduar:

“Shpresojmë se sponsorët e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës më në fund do ta kuptojnë se çfarë përbindëshi kanë krijuar, dhe do të ndërmarrin hapa vendimtarë në mënyrë që ekstremistët nga Prishtina të kthehen nga faza e luftës në tavolinën e negociatave”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një bisedë për “Vecernji List” të Kroacisë, ka thënë të ketë biseduar me krerët shtetërorë të Kroacisë, Maqedonisë e Malit të Zi për krijimin e një pakti kundër Serbisë.