Arbëri

Hoti si Mustafa: Qeveria e presidenti përgjegjës për situatën në veri

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se rritja e taksës ndaj Serbisë ka qenë masë deshpëruese e Qeverisë pas dështimit të pranimit në INTERPOL.

Sipas tij, për një masë të tillë nuk janë konsultuar partnerët ndërkombëtarë.

“Para se të merrej një masë e tillë është dashur të konsultohen partnerët ndërkombëtarë, por edhe Kuvendi i Kosovës”, tha Hoti për televizionin publik.

Ai e ka akuzuar Qeverinë duke thenë se është pergjegjëse për situatën në veri.

“Kjo qeveri deri dje ka bashkëpunuar me njerëz të lidhur me krimin. Kryeministri, por edhe presidenti kanë pritur në zyrat e tyre njerëz të dyshuar për krime ne veri” ka thënë Hoti, duke aluduar kështu për takimet me nënkryetarin e Listës Serbe Millan Radojçiq, i cili po kërkohet në Kosovë, si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sot në një postim në Facebook tha se institucionet e vendit nuk po sillen me përgjegjësi ndaj gjendjes së krijuar në veri të Kosovës.

Mustafa ka thënë se me këtë papërgjegjësi, Qeveria e prirë nga Ramush Haradinaj dhe Kuvendi i Kosovës nga Kadri Veseli, po bëhen pjesë e projektit të ndarjes së veriut të Kosovës.

“Sjellja, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe të Kuvendit, pa marrë parasysh se çfarë deklaron Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe disa ministra, po bëhen pjesë e projektit të ndarjes së veriut të Kosovës. Po shihet qartë se Presidenti nuk është vetëm në idenë e tij për korrigjim të kufijve”, ka thënë Mustafa.