Arbëri

Thaçi: Rrethanat e reja në Kosovë e Serbi na detyrojnë të arrijmë marrëveshjen përfundimtare

Descriptive Text

Shtetet e Bashkuara u kërkuan autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.

Ky qëndrim u shpreh në një deklaratë të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, pas një takimi që Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo pati të hënën me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku ai i bëri thirrje Kosovës të përfitojë nga rrethanat e krijuara për të arritur një marrëveshje historike me Serbinë.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, thuhet në deklaratë.

Pas takimit, presidenti Thaçi nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes së Zërit të Amerikës, nëse e shihte vendimin për tarifat si një qëndrim kundër bisedimeve me Serbinë apo kundër ideve të tij për korrigjimin e kufirit si rrugë e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, por e vuri theksin tek nevoja e zgjidhjes së problemeve me Serbinë.

“Mendoj se vetë krijimi i rrethanave të reja dhe në Kosovë dhe në Serbi dhe në rajon, por edhe në botë - sepse bota ka ndryshuar, Evropa po ndryshon, rajoni ynë është në udhëkryq - shtojnë domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha Thaçi për Zërin e Amerikës.

Ai tha se Kosova duhet “ta heqë qafe një herë e për gjithmonë çështjen e Serbisë dhe të fokusohet në zhvillimin ekonomik, në rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, në krijimin e vendeve të reja të punës dhe të mos humbim kohë ne tash e tri dekada, vetëm me Serbinë, Serbinë, Serbinë”.

Shkrimin e plotë e gjeni në Zërin e Amerikës.