Janë vendosur sot në Prizren shtatoret e tre drejtuesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni dhe Sulejman Vokshi.
Në përurim morën pjesë krerët e shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Me këtë rast, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sek ëto shtatore përjetësojnë momentin kur Prizreni, Frashëri e Vokshi bashkuan kombin përballë rreziqeve të kohës.
Ai tha se tash në Kosovë “janë kthyer tre baballarët e kombit, të cilët nisën rrugëtimin me idenë e lirisë dhe të shtetit kombëtar të shqiptarëve”.
Veseli po ashtu tha se kjo ditë “s’do të kishte këtë hijeshi, pa një histori tjetër të veçantë të kombit tonë, e cila ndodhi këtu e 21 vjet më parë, pra ballafaqimi i parë frontal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, e cila për herë të parë poshtëroi në mënyrë disfatiste ushtrinë dhe policinë serbe”.
“Sot ne shqiptarët kemi shtete, kemi liri, identitet e krenari, por kemi edhe partnerë, në rrugëtimin tonë drejt integrimeve euro-atlantike. Do të vazhdojmë kështu si sot, të bashkuar, për të përkujtuar dhe lartësuar çdo herë veprat e atdhetarëve dhe baballarëve të kombit. Njëkohësisht, edhe për të dëshmuar se jemi të përgjegjshëm dhe të vëmendshëm për të gjitha sakrificat që janë bërë, si dhe për të ruajtur e çuar përpara amanetin e heronjve dhe martirëve të kombit. Lavdi e përjetshme heronjve të atdheut”, tha ai.
Limaj: Shqiptarët do t’i nderojnë përjetë ata që trasuan rrugën e lirisë
Në prag të Festës Kombëtare të 28 Nëntorit dhe në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, në qytetin historik të Prizrenit, së bashku me Qeverinë Shqiptare përuruam shtatoret e figurave të ndritura kombëtare; Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit.
“Këta tre burra të mëdhenj të kombit ishin ideatorët dhe burrështetasit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shqiptarët do t’i nderojnë përjetë e mot të gjithë ata që trasuan rrugën drejt lirisë”, ka thënë Limaj. “Përgëzime autorëve të këtyre shtatoreve të cilat zbukuruan qytetin e Prizrenit! Lavdi jetës dhe veprës të Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit dhe gjithë delegatëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ka shtuar më pas ai.