Arbëri

Kurti thotë se marrëdhëniet vëllazërore me Shqipërinë nuk po funksionojnë në asnjë nga marrëveshjet e arritura

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar moszbatimin e marrëveshjeve dhe memorandumeve të nënshkruara deri më tash mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në një konferencë për media, ka thënë se Kosova e Shqipëria kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, memorandume e dakordime në takimet e tyre të përbashkëta por, problemi, sipas tij, është që në asnjë faqe zyrtare as të Kosovës e as të Shqipërisë këto marrëveshje nuk janë publikuar të plota.

“Ato nuk i kanë sjellë as në Kuvendin e Kosovës për njoftim që nga viti 2014 e këndej. Herën e fundit me kërkesë të grupit parlamentar të Vetëvendosjes në vitin 2016 janë dorëzuar në komisionin parlamentar për punë të jashtme 4 dokumente disi më shpjeguese por jo edhe vet marrëveshjet. Ndonëse këto marrëveshje janë quajtur ndërkombëtare, karakteristike e tyre është se ato asnjëherë nuk e kanë marrë karakterin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, është shprehur Kurti, raporton “Koha Ditore”.

Sipas tij, praktika nuk po tregon as ndonjë afrim e as ndonjë shkrirje e as seriozitet të zbatimit. Ka thënë se marrëdhëniet vëllazërore nuk po funksionojnë në asnjë nga marrëveshjet e arritura.

“Katër vjet më vonë Kosova ende nuk e ka zbatuar marrëveshjen për heqjen e lejeve të punës për shtetasit e Shqipërisë ndonëse Shqipëria i ka hequr ato menjëherë pas nënshkrimit në vitin 2014”, ka theksuar Kurti.

Gati secila marrëveshje, ka thënë ai, është zotim pa zbatim të cilat zhduken menjëherë pas konsumit mediatik.

“Ose flitet për mërgatën e përbashkët, për një diasporë por ku janë qendrat e përbashkëta kulturore, ku është furnizimi me tekste shkollore shqip për mërgatën tonë. Sot Kosova e Shqipëria i shesin njëra tjetrës më së shumti skrap mjete metalike, materiale ndërtimi, çimento e asfalt si dhe tuba e shufra hekuri. Kjo tregti mes nesh tregon sa prapambetjen mes nesh aq edhe mungesën e vizionit për zhvillim në të dyja anët e kufirit”, ka deklaruar Kurti.

E nënkryetari i parë i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi ka thënë se në mbledhjet e deritanishme të përbashkëta, Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë nënshkruar 50 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi apo dakordime e zotime mes palëve. Por, siç është shprehur, fatkeqësisht pjesa dërmuese e këtyre marrëveshjeve janë harruar që në ditën e nënshkrimit të tyre.

“Asnjëra prej tyre nuk ka kaluar nëpër dyert e parlamenteve të dy vendeve dhe as nuk i gjen dot në databazat apo prezencën online të qeverive të dy vendeve apo ministrive gjegjëse. Në pjesën me të madhe marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë përmbajnë zotime por asesi afate për implementimin e tyre”, ka thënë a.

Në vend të zbatimit të këtyre marrëveshjeve, sipas tij, pala kosovare është përcaktuar për implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë duke i injoruar ato me Shqipërinë.

Lidhur me taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, Kurti ka thënë se duhet të priten efekte pozitive, por kjo taksë, sipas tij, është vënë si gjobë taktike apo akt i dëshpëruar për shkak të sjelljes së Serbisë, sidomos pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Ai ka kërkuar reciprocitet të plotë me Serbinë.

Kurti ka komentuar edhe qëndrimin kundër taksës 100 për qind të ministrit të Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, duke thënë se “Shqipëria, në politikën e jashtme karshi Serbisë, duhet ta ndjekë Kosovën”, duke përjashtuar politikën e presidentit Hashim Thaçi. /Edona Kutleshi dhe Kushtrim Kadriu/