Arbëri

Nitaj ministrit Ahmetaj: Të paska ngelur sahati në kohën e “vëllezërve kinezë e miqve kosovarë”

Qeveria e Shqipërisë është deklaruar kundër biznesit vendës dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me vendosjen e taksës në masën 100% ndaj mallrave serbe e atyre boshnjake. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksave ndaj mallrave serbe në 100% është vlerësuar si jo e shëndetshme për ekonominë e dy vendeve, nga ana e ministrit të Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Për këtë ka reaguar deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Muharrem Nitaj, i cili në një shkrim në Facebook ka thënë se duhet një taksë edhe për Ministrin shqiptar Ahmetaj.

LEXO EDHE: Qeveria e Shqipërisë kundër taksës 100% ndaj mallrave serbe

“Një taksë edhe për Ministrin shqiptar Ahmetaj, aman!. Ministri shqiptar i financave, Arben Ahmetaj, paska deklaruar se taksa e Qeverisë së Kosovës për produketet serbe, nuk qenka e shëndetshme!”, ka shkruar Nitaj, përcjell Koha.net.

E porosis Ministrin Ahmetaj, thotë Nitaj, të kujdeset për shëndetin e Qeverisë së tij dhe hiç mos ta ketë gajle shëndetin tonë!

“Ai në vend që ministrit serb të financave t’i kërkojë sqarime për agresionin ekonomik e politik të Serbisë ndaj Kosovës, paska premtuar lehtësira për importet nga Serbia! S’ka problem, veç dushk për gogla mos na shitni! Këtij farë ministri i paska ngelur sahati në kohën e “vellëzërve kinezë e miqëve kosovarë”!”, ka përfunduar Nitaj.