Arbëri

Kosova shton sanksionet kundër Serbisë, reagojnë ashpër BE-ja e Beogradi

Kosova ka ashpërsuar sanksionet ekonomike ndaj Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj ofensivës së kësaj të fundit për ta penguar në anëtarësim në organizatën INTERPOL, si dhe për t’ia zbehur Kosovës subjektivitetin ndërkombëtar. 

Për produktet me origjinë nga ky shtet dhe nga Bosnjë-Hercegovina, të mërkurën Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të rritur taksën nga 10 për qind në 100 për qind. Përveç kësaj, Qeveria ka paralajmëruar edhe masa të tjera karshi shtetit fqinj. Këtë vendim kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, e ka quajtur vendim “të zorit”, për shkak se “Serbia e ka bllokuar Kosovën”. 

Sipas tij, janë bërë 20 vjet nga lufta e fundit në Kosovë dhe 10 vjet që nga shpallja e Pavarësisë dhe Serbia nuk ka treguar mirëkuptim për normalizimin e marrëdhënieve. “Ne e kemi bërë një analizë të Marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia. 

Malli i Kosovës ka pasë vështirësi me hy në Serbi, çdo produkt që ka hy është analizuar, e ka penguar transportin. E ka penguar, ani pse ne jemi ankuar disa herë. Kjo është një masë legjitime që e ka marrë Kosova, e kemi paralajmëruar se kjo mund të rritet”, ka pohuar ai. Edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se kjo masë ka ardhur pasi që prodhuesit kosovarë po ballafaqohen me barriera të ndryshme jotarifore në Serbi, dhe se ato nuk mund të hyjnë në tregun e Serbisë. 

Kjo, pasi autoritetet serbe nuk i njohin analizat e importuesve kosovarë dhe gjithashtu ata kërkojnë rivlerësim të mallrave të Kosovës. Edhe në një konferencë për media, pas vendimit, Shala i ka ftuar të gjithë prodhuesit vendorë që të marrin masa të menjëhershme për të rritur cilësinë e produkteve për të përfituar në treg, pas rritjes së 100 për qind të taksës për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja. 

Ai i ka ftuar prodhuesit vendorë, importuesit dhe tregtarët që të bashkohen në kauzën për zhvillim ekonomik të vendit.\Sanie Jusufi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)