2 perditesime
15:00

Stafi i Barnatores Qendrore në QKUK konfirmon vërshimin, kërkon nga SHSKUK-ja të ndërmerr masa

Stafi i Barnatores Qendrore (BQ) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) i ka dërguar një shkresë Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, Basri Sejdiut, lidhur me gjendjen aktuale në bodrumin e Klinikës Obstetrike të Gjinekologjisë (KOGJ), ku edhe gjendet depoja e BQ-së.

“Koha Ditore”, nga burime nga Drejtoria e SHSKUK-së, ka siguruar një shkresë të protokolluar të stafit të BQ-së përmes së cilës e kanë njoftuar Sejdiun në fjalë në lidhje me problemet e kushteve të ruajtjes së barnave dhe materialit medicinal në Barnatoren Qendrore me lokacion në katin përdhesë të Klinikës Obstetrike të Gjinekologjisë.

Në shkresë tregohet se BQ-ja deponon gjithë sasinë e produkteve dhe pajisjeve medicinale të dedikuara për furnizim të Klinikave të QKUK-së.

“Në sektorin e barnave të Barnatores Qendrore gjatë ditës së sotme ka patur vazhdimisht rrjedhje të ujit përmes gypave të cilët janë të paizoluar në tavanin e hapësirave ku ruhen barnat. Rrjedhja e ujit ka rrezikuar barnat e deponuara në Barnatoren Qendrore duke ndikuar dukshëm në ruajtjen e tyre”, thuhet në shkresën e stafit të Barnatores Qendrore të QKUK-së.

Më tutje, stafi njofton udhëheqësit se që nga dje, kur ka pasur rrjedhje nga reparti i konzervativës në KOGJ, “ka pas vërshime uji në Barnatore Qendrore, rrjedhje në të gjitha zyrat e administratës, korridor dhe sektorin e barnave ku ne i jemi ekspozuar kushteve të papërballueshme për mbarëvajtjen e punës por edhe me rrezikim të drejtpërdrejtë të shëndetit tonë (kundërmimi që është paraqitur si pasojë e këtyre rrjedhjeve e bën të pamundur qëndrimin e stafit në ambientet e punës)”.

Përkundër që Shërbimet Teknike njoftohen vazhdimisht për probleme të cilat stafi i BQ-së thotë se i hasin vazhdimisht nga çdo defekt i kateve të sipërme të Klinikës së Gjinekologjisë, problemet ende nuk janë sanuar.

Edhe për problemet e këtyre ditëve, BQ thotë se shërbimet teknike janë njoftuar nga Kryetekniku i kësaj barnatoreje.

“Në mënyrë që të parandalohen dëmtimet shumë të mundshme të barnave apo dëmtime të pa-riparueshme të cilat si pasojë mund të kenë edhe humbje të mëdha financiare (dëmtim buxheti), luteni që të merrni masa urgjente për sanimin për kohë afatgjatë të këtyre problemeve, duke rinovuar në tërësi të gjitha ambientet e ruajtjes dhe deponimit të barnave dhe materialit medicinal konform kushteve optimale të ruajtjes apo të shqyrtimit të mundësive për ndërrim të lokacionit të Barnatores Qendrore”, ka përfunduar shkresa e stafit të BQ-së drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, Basri Sejdiu.

12:15

QKUK-ja mohon të ketë vërshime në Gjinekologji, thotë se shpërtheu një gyp

QKUK-ja ka mohuar të ketë vërshime në bodrumin e Gjinekologjisë, duke thënë se nga rrjedhja e gypit të ujit nuk ka pasur dëme në barna.

Mirlinda Qyqalla nga zyra për informim ka thënë për portalin Koha.net se nuk ka pasur vërshime, por vetëm rrjedhje e ujit që është duke u sanuar nga ekipet përgjegjëse.

“Vërshime nuk ka pasur, por ka pasur rrjedhje e ujit dhe nuk nënkupton që ka pasur vërshime, ka pasur rrjedhje të ujit dhe është sajuar menjëherë prej ekipeve përgjegjëse. Nuk ka pasur dëme as në barna dhe në material”, ka thënë Qyqalla.

11:37

Vërshohet bodrumi i Gjinekologjisë, vendi ku ruhen barnat për tërë Kosovën

Bodrumi i Gjinekologjisë në QKUK, në të cilin ruhen barnat për tërë Kosovën, është vërshuar nga uji gjatë ditës së martë.

Në një video në të cilën e ka siguruar portali Koha.net, shihet ujë duke pikuar nga gypat në bodrum, në të cilin është e vendosur Barnatorja Qendrore dhe deri më tani nuk dihet për dëmin që është shkaktuar nga uji.

Portali Koha.net ka tentuar të marrë informacione nga QKUK-ja lidhur me këtë vërshim, por deri më tani nuk kanë pasur ndonjë informacion.