Arbëri

BERZH-it i kërkohet financimi i Qarkores së Prishtinës

Ministri i Financave, Bedri Hamza i ka dorëzuar zëvendës-presidentit të parë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Jurgen Rigterink kërkesën për financim të Projektit për ndërtimin e Qarkores së Prishtinës, për të cilin pritet që marrëveshja financiare të përmbyllet vitin e ardhshëm.

Ky projekt do të kushtojë rreth 65 milionë euro.

Hamza ka thënë se deri më tani Kosova ka mbi 120 milionë euro marrëveshje të ratifikuara me BERZH-in që do të ndikojnë për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve, raporton “Koha Ditore”.

Sipas tij, BERZH-i vazhdon të jetë një ndër partnerët kyçë dhe strategjikë të Kosovës për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.

Ndërsa zëvendëspresidenti Jurgen Rigterink shprehu edhe një herë gatishmërinë e BERZH-it për ta mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës përmes realizimit të projekteve prioritare për vendin.

Ai ka thënë se besojnë që në tri vitet e ardhshme mund të rriten investimet nga 50 milionë deri në 100 milionë euro.

Ka thënë se gjatë ditës së nesërme do të diskutohet edhe për progresin e projekteve që janë në proces. Kjo pasi sipas tij, ka projekte që kanë filluar në vitin 2015, por kanë ngecur në zbatim. /Sanie Jusufi/