Arbëri

Sot seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për politikën e jashtme, por Pacolli mungon

Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun njoftoi dje se për sot, më 16 nëntor, është thirrur seanca e e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, sipas kërkesës së 42 deputetëve.

Për këtë seancë, që është paralajmëruar të nisë nga ora dhjetë, është paraparë vetëm një pikë e rendit të ditës:

1.Debat parlamentar sipas kërkesës së 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

Mirëpo mbrëmë ministri i Jashtëm i vendit, Behgjet Pacolli njoftoi se nuk do të jetë i pranishëm në këtë seancë, meqë ka agjendë tjetër, e cila nuk mund të shtyhet. Bëhet fjalë për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, që nis më 18 dhe vazhdon deri më 21 nëntor në Dubai, në të cilën është në rend të ditës edhe pranimi i Kosovës në këtë organizatë. Siç u shpreh ministri Pacolli, ai nuk ka fuqi që të ndryshojë kohën e mbajtjes së kësaj mbledhjeje, aq të rëndësishme për Kosovën.

Për pasojë dhe pa praninë e tij vështirë të mbahet kjo seancë sot. Por, mbetet të pritet ora dhjetë kur ajo duhet të fillojë ose të kuptohet se nuk do te mbahet.