Deklaratat e disa prej zyrtarëve të Bashkimit Evropian se liberalizimi i vizave mund të marrë edhe më shumë kohë, ka alarmuar institucionet e Kosovës, si në rrafshin e lobimit ashtu edhe në përmbushjen e disa obligimeve të mbetura, në kuadër të kritereve nga fusha e sundimit të ligjit.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot pas një takimi me Komisionin parlamentar për Legjislacion se është e habitshme se si Bashkimi Evropian po e vë në pikëpyetje liberalizimin e vizave për këtë vit, tani kur Kosova plotësoi, sipas tij, të gjitha kushtet. Ai tha se procesi nuk është i rrezikuar, por nuk e përjashtoi mundësinë e shtyrjes së mëtutjeshme.
“Ka qenë një listë me kushte dhe ato janë kryer nga ana jonë. Tash është mirë të sqarohet pse ka ngecje dhe pse nuk kryhen. Ka shumë spekulime se përse ka ngecje. Në rastin konkret nëse ka votuar edhe Parlamenti Evropian, atëherë ishte dashur të zbatohet kjo pjesa e mbetur (nga institucionet e BE-së). Nuk mendoj që është anuluar procesi i liberalizmit, ne jemi në proces, por është pak e habitshme që tash po hasim në vështirësi që të hyjmë në agjendë. Është pak e çuditshme”, tha Haradinaj.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë