Arbëri

MPJ: Kosova mbështet Ukrainën, mbajtja e zgjedhjeve është kundër Marrëveshjes së Minskut

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh qëndrimin e saj zyrtar se Republika e Kosovës mbështet plotësisht Ukrainën si një shtet të pavarur, me sovranitet dhe integritet territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

“Ministria e Punëve të Jashtme kundërshton mbajtjen e “zgjedhjeve” më 11 nëntor, 2018 në të ashtuquajturën “Republikën Popullore të Donetskut dhe Luhanskut”, pasi që kjo është kundër frymës dhe përmbajtjes së Marrëveshjeve të Minskut, të cilat me dispozita të veçanta e rregullojnë organizimin e zgjedhjeve lokale në atë rajon”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se ky proces i jashtëligjshëm mund të minojë të gjitha përpjekjet e deritanishme për arritjen e paqes në rajon dhe thërret të gjitha palët të respektojnë dhe zbatojnë Marrëveshjet e Minskut, të cilat janë jetike për arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe paqësore për konfliktin e Ukrainës lindore.

“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se duhet të shmanget çdo veprim, i cili e pengon zbatimin e Marrëveshjeve të Minsku-ut, duke përfshirë të ashtuquajturat zgjedhje, rezultati i të cilave nuk do të ketë vlerë ligjore”, thuhet në fund të komunikatës së MPJ-së.

Kujtojmë se Separatistë e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës po mbajnë zgjedhje, të cilat po konsiderohen nga Kievi dhe Perëndimi si “të paligjshme”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se zgjedhjet e mbajtura në zonat e kontrolluara nga separatistët në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut do të pengojnë edhe më tej përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit që ka vrarë më shumë se 10,300 persona, që prej prillit të vitit 2014. Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko tha se zgjedhjet “paraqesin edhe një shembull tjetër të aktivitetit subversiv rus”.