“Tkurrja e popullsisë” është kryetitulli i së dielës në Koha Ditore.
Shkrimi kryesor flet për rënien e konsiderueshme të natalitetit në dekadën e fundit, dështimin për të krijuar politika të mirëfillta për natalitetin, mungesën e perspektivës dhe ndikimin i migrimit në tkurrjen e popullsisë.
“Mes ëndrrës dhe makthit” është komenti i Agron Bajramit, për temën e së dielës.
Në intervistë profesori, Rifat Blaku, flet për popullsinë si kapitalin më të shtrenjtë të një vendi.
“Qefinin ma kishin ble...” është rrëfimi i një 84-vjeçari për sfidat dhe shpresën në Kosovë.
Faqet e botës janë të rezervuara për perandorët e vegjël të Kinës dhe boshnjakët që e flasin spanjishten mesjetare.
Fejtoni i njëzetenëntë nga Biblioteka e Kongresit Amerikan flet për fushatat xhonturke kundër shkollave shqipe.
Nga Penuha e Podujevës, “Kosovarçe” sjell rrëfimin e fëmijëve të këtij fshati për kalimin nëpër rrugën e rrezikshme malore për t’u shkolluar.
“Pianisti i ëndrrës për një botë ndryshe” dhe “Artisti që gjurmon kujtimet e përditshmërisë”, janë shkrimet që zënë faqet e kulturës.
Monument sjell godinën e vjetër të Gërmisë dhe rrëfimet për të.
“Azemi, në shërbim të klubit dhe të vendit” dhe “Veterani i UÇK-së që ka nxjerrë pesë gardianë për portën e Kosovës”, janë dy prej shumë shkrimeve interesante nga sporti.
Këto, dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në 82 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.