Ministria e Shëndetësisë lansoi sot katër udhërrëfyesit e parë klinikë, me të cilët ka për qëllim ngritjen e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore përmes një kujdesi shëndetësor të bazuar në dëshmi.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Rrustem Musa ka deklaruar se sot është ditë pozitive për shëndetësinë, sepse po lansohen 4 nga 8 udhërrëfyesit sa MSh ka hartuar deri më tani.
“Duke e parë nevojën dhe urgjencën e hartimit të këtyre udhërrëfyesve dhe protokolleve, MSh ka përcaktuar bazën ligjore për procesin e zhvillimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike në vendin tonë përmes Udhëzimit Administrativ 08/2015. Përmes këtij Udhëzimi janë përcaktuar edhe trupat rregullatore që sigurojnë mbikëqyrje të cilësisë së procesit, duke adaptuar praktikat më të mira mjekësore nga vendet e zhvilluara bazuar në standardet ndërkombëtare”, tha Musa. “Ky është vetëm hapi i parë në këtë proces, i cili duhet të vazhdohet intenzivisht me zbatim të tyre në praktikën e përditshme të profesionistëve shëndetësorë”.
Drejtoresha e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Popullatën (UNFPA), Doina Bologa, vlerësoi se udhërrëfyesit do t’u ndihmojnë pacientëve dhe sistemit shëndetësor në Kosovë.
“Udhërrëfyesit janë bërë pjesë integrale e sistemit shëndetësor dhe konsiderohen mjete esenciale për ta përmirësuar kujdesin në sistemin primar, sekondar dhe terciar. Principi kryesor për udhërrëfyesit e bazuar në evidencë është që të avancoj përkujdesjen klinike në të mirë të pacientëve”, theksoi ajo.
Udhëhqësja e Këshillit Kosovar për Udhërrëfyes dhe Protokolle Klinike, Arbëresha Turjaka ka shpjeguar procesin e adaptimit të udhërrëfyesve klinikë. Ajo ka thënë se arsyeja e fillimit të hartimit të tyre është sigurimi i cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore të bazuara në dëshmi, duke pasur për fokus gjithmonë interesin e pacientit.
Katër udhërrëfyesit e lansuar sot janë: Menaxhimi i preeklampsisë së rëndë dhe eklampsisë; parandalimi dhe menaxhimi i hemorragjisë primare postpartale; skrinimi dhe trajtimi i lezioneve prekanceroze të qafës së mitrës; dhe udhërrëfyesi për shërbime të HIV/testimit.
Në proces të botimit ndërkaq, janë udhërrëfyesit: Menaxhimi i hipertensionit arterial; Menaxhimi jo farmakologjik i sëmundjes së sheqerit; Menaxhimi i astmës; dhe Transporti neonatal.
Procesi hartimit dhe lansimit të udhërrëfyesve klinikë është përkrahur nga UNFPA.