Arbëri

Haradinaj nuk beson në një luftë të re në Ballkan

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk beson në një luftë të re në rajonin tonë.

Në një bisedë për “Vecernji List” të Kroacisë, Haradinaj ka theksuar se është kundër idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shkëmbim territoresh me Serbinë.

“Presidenti Hashim Thaçi dhe unë kemi një qëllim të përbashkët – të ruajmë integritetin, sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, kufijtë territorialë dhe paqen në vendin tonë. Kam thënë qartë se nuk jam për ndarje të territorit dhe nuk dua asnjë eksperiment me shtetin tonë të krijuar me gjak. Është e rrezikshme të flasësh për kufij dhe për ndryshim territoresh në rajonin tonë. Jam krejtësisht kundër kësaj ideje për të luajtur me kufij. Mendoj se ndryshimi i kufijve do të vinte në pikëpyetje pavarësinë dhe integritetin tonë territorial. Me Serbinë mund të bisedojmë vetëm për njohjen reciproke, por kurrë për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh”, ka thënë Haradinaj në këtë intervistë.

“Për ne, kompromis është vet fakti që po bisedojmë me serbët dhe po e lëmë pas kohën e dhimbshme të luftës në të cilën ndaj kosovarëve janë kryer krime – na kanë vrarë, na kanë dhunuar gratë tona, na kanë shkatërruar pasuritë tona... Pas gjithë kësaj, është kompromis nga ana jonë që të ndërtojmë marrëdhënie politike, të bisedojmë dhe të njihemi reciprokisht. Jemi të gatshëm për një pakt paqeje me Serbinë sepse duhet të kemi atë vizion që në të ardhmen të ketë paq mes popujve tanë në këto troje ballkanike”, shtoi Haradinaj, duke shtuar se nuk shqetësohet me provokimet që vijnë nga Beogradi, transmeton Koha.net.

“Pavarësisht provokimeve të vazhdueshme që vijnë nga Beogradi, nuk besoj se do të vijë deri tek ndonjë përleshje apo lufte sepse ne e bëjmë punën tonë dhe e ndërtojmë shtetin tonë dhe institucionet e saja. Qëllimi ynë është të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët dhe asnjëherë nuk do të nxisim përleshje a luftë. Prioritet yni është arritja e një marrëveshjeje paqeje me Serbinë. Të gjitha problemet me Malin e Zi, me Maqedoninë e Shqipërinë i kemi zgjidhur, e qëllimi ynë është që këtë ta arrijmë edhe me Serbinë, pas së cilës do të mund të përgatitemi për anëtarësim në BE. Përveç në BE, synim yni është anëtarësimi edhe në NATO. Gjithçka bëjmë, e bëjmë në interes të shtetit dhe popullit tonë dhe nuk do të lejojmë që të rrezikohet integriteti dhe sovraniteti ynë. Ndërsa provokimet që Aleksandar Vuçiqi dhe ministrat e tij atje i bëjnë, siç bënë pas vizitës së presidentit Thaçi në Ujman, nuk na interesojnë dhe nuk dëshirojmë të humbim kohë për këto. Më mirë është që presidenti serb të merret realisht me afrimin me BE-në, e jo të mashtrojë popullin e tij e vazhdimisht të fitojë poenë politikë me ngritjen e tensioneve në Kosovë”, shton kreu i ekzekutivit kosovar, transmeton Koha.net.

Kryeministri Haradinaj ka thënë po ashtu se Kosova nuk do ta japë as Trepçën e as Ujmanin, pasi, siç thotë ai, “ato janë gurët e çmuar të Kosovës dhe kurrë nuk do të heqim dorë nga to”.

“Janë resurset tona dhe nuk ia lejojmë askujt që të na i merr ato, ashtu siç do të vepronte edhe çdo shtet tjetër i pavarur në botë. Gjithçka që është brenda kufijve të Kosovës është e Kosovës. Dhe ne nuk do të kërkojmë diçka në Kroaci, Serbi a Maqedoni”, theksoi ai.

Sipas Haradinajt, formimi i Ushtrisë së Kosovës është një proces normal që zgjat tash e 20 vjet, nga viti 1999, dhe tha se nuk e kupton pse serbët “ngritin tensione për çdo imtësi”.

“Ne i kemi forcat tona. Ushtria jonë tani është e trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe nga NATO-ja. Është forcë multietnike në radhët e së cilës ka edhe serbë. Secili shtet duhet ta ketë ushtrinë e vet. Nuk shoh pse panikohen në Serbi. Do të jetë ushtri mbrojtëse, e jo forcë pushtuese e Kosovës. Qëllimi dhe mandati i saj do të jetë mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, e jo okupimi dhe marrja e territoreve të shteteve tjera”, sqaroi Haradinaj për “Vecernji” qëllimin e Ushtrisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës foli edhe për sulmet që presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan pati ndaj tij pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm të Kosovës në lidhje me dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, të cilët shteti turk i cilësoi si anëtarë të organizatës FETO, organizatë që Turqia e konsideron terroriste.

“Sa i përket sulmit se unë nuk jam mysliman i vërtet dhe pi alkool – i porosis ata se unë mbi të gjitha jam shqiptar. Identiteti im nuk është religjioni. Shqiptarët janë popull i vjetër i cili ka jetuar edhe të krishterë. Unë askujt nuk i kam borxh përpos vetes time për atë se çka jam dhe si ndihem. Kam qenë në xhami, por jo si besimtar. Shkoj në xhami për t’i vizituar imamët për Bajram, por jo si besimtar, por si përfaqësues politik”, tha Haradinaj në këtë intervistë, duke shtuar se “shqiptarët kanë qenë besimtarë vetëm gjatë Perandorisë Osmane kur religjionin e kanë pasur të imponuar”.

Kreu i ekzekutivit kosovar është shprehur i kënaqur që krerët e shtetit kroat janë të qartë në qëndrime për sa i përket zgjidhjes së problemeve mes Kosovës e Serbisë.

Tutje, ai ka treguar se shpesh dëgjohet edhe me gjeneralin kroat, Ante Gotovina, të cilin e cilëson si mik shumë të mirë e me të cilin thotë të kenë kaluar shumëçka.

Haradinaj, në këtë intervistë ka folur edhe për Titon, udhëheqësin e ish-Jugosllavisë.

Ai ka thënë se familja e tij nuk e ka dashur Titon, dhe se edhe në kohën e tij janë burgosur politikisht.

“Nuk e kemi dashur Titon. Edhe asokohe kemi qenë nëpër burgje politike. Dihet se një pjesëtar i familjes sime Haradinaj ka vuajtur dënim me burg prej 11 vjetësh në Pozharevc në qeli”, ka thënë shefi i Qeverisë së Kosovës.

Tutje, ai foli edhe për skuadrat serbe të futbollit, Partizanin e Vokrrit dhe për Cërvena Zvezdën, për të cilën tha të ketë bërë tifo për shkak të ngjyrave të fanellave të tyre që i kishin kuq e zi.

“Për Partizanin kam bërë tifo kur atje ka luajtur Fadil Vokrri dhe nuk kam qenë kushedi se çfarë tifozi dhe anëtar i ‘Grobari’ siç kanë shkruar mediat serbe. Më duhet të zbuloj edhe një fshehtësi. Kur ishim fëmijë, bënim tifo për Zvezdën, por vetëm për shkak se i kishin ngjyrat shqiptare. Atëherë nuk guxonim t’i bartnim në stadiume flamujt shqiptarë”, ka theksuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.