Arbëri

Serbia kritikohet për promovimin e librave të kriminelëve të luftës në Kosovë

Një grup për të drejtat e njeriut ka kritikuar ashpër qeverinë e Serbisë pasi ministria e saj e Mbrojtjes publikoi dhe promovoi një libër të shkruar nga dy ish-gjeneralë ushtarakë të dënuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte.

Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut [YIHR] të shtunën tha se ky veprim u siguron mbështetje të hapur shtetërore kriminelëve të luftës të dënuar nga Tribunali për ish-Jugosllavi në Hagë, raporton AP.

Gjykata shpalli fajtorë dy ish-gjeneralët, Nebojsha Pavkoviq dhe Vladimir Lazareviq për krimet e kryera nga trupat serbe në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99 që la mbi 10,000 të vdekur dhe pothuajse 1 milion tjerë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Pavkoviq vuan dënimin prej 22 vjetësh në burg, ndërsa Lazareviq është kthyer në Serbi pas vuajtjes së dënimin prej 14 vjetësh në burg, transmeton Koha.net.

Ministria serbe e Mbrojtjes është duke i promovuar memoaret e dy ish-gjeneralëve të luftës në Panairin e Librit në Beograd këtë javë.