Arbëri

Ministri Bytyqi në Beograd flet për të arriturat dhe sfidat e sistemit arsimor në Kosovë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka njoftuar se gjatë konferencës së mbajtur në Beograd, ku të pranishëm ishin edhe ministrat e Arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë panelit ministror, ka diskutuar për zhvillimet, të arriturat dhe sfidat në sistemin arsimor në Kosovë.

Thotë se ka folur për secilin nivel të arsimit në Kosovë, duke filluar nga arsimi parashkollor dhe parafillor, ku rreth edukimit parashkollor (0-5 vjeç), thash se jemi në përgatitjen e draftit final të kurrikulës bërthamë, ndërsa rreth edukimit parafillor, për fëmijët e moshës pesë vjeçare kam përmendur fillimin e zbatimit të kurrikulës bërthamë.

Postimi i Bytyqit në Facebook:

Në konferencën me temën “Vizioni i Bashkëpunimit Rajonal për Edukim Cilësor dhe Trajnim”, organizuar nga Iniciativa për Reformën Arsimore e Evropës Juglindore(ERI-SEE) dhe Ministria e Arsimit e Serbisë.

Në këtë konferencë të mbajtur në Beograd, ku të pranishëm ishin edhe ministrat e Arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë panelit ministror, diskutova për zhvillimet, të arriturat dhe sfidat në sistemin arsimor në Kosovë.

Gjatë panelit ministror, kam folur për secilin nivel të arsimit në Kosovë, duke filluar nga arsimi parashkollor dhe parafillor, ku rreth edukimit parashkollor (0-5 vjeç), thash se jemi në përgatitjen e draftit final të kurrikulës bërthamë, ndërsa rreth edukimit parafillor, për fëmijët e moshës pesë vjeçare kam përmendur fillimin e zbatimit të kurrikulës bërthamë. Gjithashtu, fola edhe për rëndësinë e gjithëpërfshirjes, arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, ku kam përmendur mbështetjen e Ministrisë, përmes mësuesve të specializuar dhe asistentëve personal për nxënësit me nevoja të veçanta.

Në lidhje me arsimin parauniversitar, fola për katër shtyllat kryesore që do jenë edhe prioritet i Ministrisë së Arsimit për vitin e ardhshëm: metodat e përmirësuar të mësimdhënies, ku duhet ndryshuar sa më shpejt stili i mësimdhënies, nga mësimi me përkushtim në rritjen e kureshtjes dhe interesit për të mësuar, pra duke ndryshuar metodat e mësimdhënies nga mësimi klasik në atë modern, kreativ dhe gjithëpërfshirës. Po ashtu, kam folur edhe për përmirësimin e menaxhimit të shkollës, në mënyrë që drejtori i shkollës të ketë një rol më të rëndësishëm nga ai teknik në menaxherial dhe vendimmarrës. Si prioritet tjetër në kuadër të arsimit parauniversitar, përmenda edhe mentorimin e përmirësuar, ku duhet të fokusohemi në ndryshimin e rolit të inspektorëve të arsimit, nga kontrollues në një rol mentorues, duke dhënë sa më shumë këshilla për shkollat që angazhohen për një performancë sa më të mirë të shkollës. Rreth kësaj do të na ndihmoj shumë edhe Ligji i ri për Inspektoratin e Arsimit. Gjithashtu, ne duhet të angazhohemi edhe në rritjen e mekanizmave pjesëmarrëse, ku strukturat e shkollës nga roli pasiv duhet të bëhen sa më aktive. Është shumë e rëndësishme që prindërit dhe studentët të integrohen më masivisht në jetën e shkollës, sepse askush më mirë se prindërit nuk e di se çfarë është më e mira për fëmijët e tyre.

Diskutova edhe për arsimin e lartë, ku me qëllim të rregullimit të profesioneve dhe harmonizimin e tyre me direktivat e BE-së, është miratuar Ligji për profesionet e rregulluara dhe janë në finalizim dhe disa udhëzime që rregullojnë çështje të caktuara. Përmenda edhe finalizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë që pritet të shkoi sa më shpejt në Qeveri dhe Parlament, po ashtu edhe formimin e grupit për hartimin e një strategjie për arsimin e lartë, e po ashtu kam folur edhe rreth punës së AKA-së, qw është duke luajtur një rol të mirë në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim. Po ashtu, kam përmendur edhe themelimin e bordeve industriale në universitete me qëllim të nxitjes së lidhjeve të mira në mes të arsimit të lartë dhe tregut të punës.

Po ashtu, kam folur edhe për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, ku kam përmendur bashkëpunimin me GIZ-in gjerman rreth hulumtimit në 68 shkolla profesionale, që ka për qëllim identifikimin e të gjeturave në këtë nivel të arsimit. Rreth arsimit profesional, përmenda hartimin e kurrikulës së Arsimit dhe Aftësimit Profesional, nga e cila do dalin edhe kurrikulat e profileve, si dhe është iniciuar hartimi i një strategjie, si dhe janë ndarë një milion euro për mbështetjen e praktikës profesionale.

Në fund të fjalës time fola edhe për prioritetet kryesore përmes të cilave bashkëpunimi rajonal ndikon në reformat tona arsimore, siç është zhvillimi i negociatave në mes të vendeve të Ballkanit perëndimor që do të rezulton me njohjen e katër profileve profesionale; doktor i mjekësisë, stomatolog, inxhinier dhe arkitekt, pastaj shkëmbimi i kuadrove përmes programit të mobiliteteve në mes të vendeve të Ballkanit, që do ishte një bashkëpunim në fushën akademike, si dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, pra në mes të institucioneve të vendeve tona me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit dhe ngritjes së cilësisë.

Në fund, theksova se ne jemi të angazhuar që ta bëjmë depolitizimin e arsimit në mënyrë që sistemi ynë arsimor të njihet për të mirë në arenën ndërkombëtare.