Arbëri

Thaçi pohon se në Paris s’do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi

Descriptive Text

Në takimin e 11 nëntorit në Paris nuk do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi. Kështu pohoi presidenti Hashim Thaçi, duke shtuar se ky rast është mundësi e mirë e afirmimit të shtetësisë.

Në një konferencë të shkurtër për media të mbajtur para fillimit të Forumit Frankofon të Investimeve, siç raporton KP, Thaçi i ka bërë thirrje Kuvendit që t’i kryejë obligimet sa i përket dialogut me Serbinë.

“Atje (në Paris) nuk do të ketë dialog Kosovë-Serbi, por do të jetë një mundësi e afirmimit të shtetit të Kosovës. Pjesëmarrja edhe e presidentit të Serbisë është nën autoritetin e presidentit francez dhe jo të Kosovës. Ndoshta edhe Serbia mund të ketë vërejtje në këtë drejtim, por është punë e tyre. Sa i përket dialogut vazhdoj të besoj se Kuvendi duhet t’i kryejë punët e veta, duhet të tejkalohet, dhe ftoj spektrin politik pa dallim, ata që janë në qeveri, ata që janë në opozitë, ta tejkalojnë këtë ngërç politik dhe institucional dhe t’i hapin perspektivë vendit. Presidenti do t’i kryejë punët e veta, ndërsa ftoj spektrin politik që t’i marrë përgjegjësitë e veta që i takon, përgjegjësitë shtetërore që të afrohen sa më tepër, të kenë një platformë të përbashkët, të kenë një agjendë të përbashkët shtetërore”, tha ai.

Në Paris, siç tha presidenti Kosova do të marrë pjesë në nivel të barabartë me shtetet tjera.

“Kosova do të marrë pjesë në nivel të barabartë sikur të tjerët, është një mundësi shumë e mirë e promovimit të shtetit të Kosovës, edhe prej vendeve dhe liderëve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, andaj kjo mundësi duhet të shfrytëzohet dhe do të shfrytëzohet maksimalisht. Ndërsa sa i përket temave të tjera, e theksoj se Kosova do të merr pjesë, unë do të marr pjesë me delegacion në çdo ceremoni ku jemi të ftuar, ku janë të ftuar edhe liderët e tjerë botërorë, me mesazhet më të mira të paqes, të mirëkuptimit, të pajtimit, të perspektivës së Kosovës për NATO dhe Bashkim Evropian”, tha ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, më 11 nëntor është nikoqir i shumë liderëve botërorë, që do të marrin pjesë në manifestimin e përvjetorit të 100-të të armëpushimit, i nënshkruar në mes të Forcave Aleate dhe Gjermanisë për përfundimin e Luftës së Parë Botërore në Frontin Perëndimor.

Më herët ishte raportuar se në Paris do të ndodhte takimi midis presidentëve të Kosovës e të Serbisë, rikujton Koha.net, dhe se do të diskutohej për korrigjim kufijsh midis dy vendeve, në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme.