3 perditesime
21:28

Çeku: Ushtria mund të bëhej më mirë në 2014

Ligji për ushtrinë e Kosovës mund të bëhej edhe në vitin 2014. Madje, sipas Agim Çekut, zv.ministër i Mbrojtjes, përmes ndryshimeve kushtetuese do të ishte më mirë.

Sipas Çekut, inatet politike bënë që formimi i ushtrisë t'i humb katër vite.

“Ushtria e Kosovës e ka kaluar rubikonin më 2014. Nga ajo ditë nuk ka qenë çështja a do të bëhet Kosova me ushtri, por kur do të bëhet. Ka mundur të bëhet, por nuk u bë. Unë shumë besoj se ka mundur të bëhet edhe atëherë, për pak... Atëherë do të mund të bëhej më mirë”, tha Çeku në Rubikon të KTV-së.

“Ka munguar vullneti, serioziteti dhe inatet, se ishim para zgjedhjeve... se kujt po i mbeten meritat”.

Ai sqaron se kur mund të themi se kemi Ushtri edhe zyrtarisht.

“15 ditë pasi del në Gazetën Zyrtare, ne kemi ushtri”, ka thënë Çeku, duke sqaruar se me hyrjen në fuqi të Ligjit për FSK-në, vendi e ka ushtrinë.

21:10

Çeku nuk kishte dëgjuar për brigadën “Hasan Prishtina”, tregon se kush e prezantoi atë

Për Brigadën “Hasan Prishtina” nuk kishte dëgjuar më parë as Agim Ceku, atë kohë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Çeku, në Rubikon të KTV-së, ka thënë se kjo Brigadë iu prezantua nga Fadil Geci dhe asnjë anëtar i Komisionit nuk dinte për të.

“Një anëtar i Komisionit që ka qenë përgjegjës për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në ekzil, e ka marrë një listë konkretisht nga Fadil Geci dhe Geci iu ka afruar Rrustem Berishës dhe i ka thënë se këta janë luftëtarë të cilët kanë marrë pjesë në Brigadën ‘Hasan Prishtina’. Edhe ai e ka sjellë si problem, sepse as ai nuk ka dëgjuar për këtë punë, as unë, asnjë anëtar i Komisionit. Kjo Brigadë s’mund të jetë as Brigadë, sepse bëhet fjalë për diku 50-60 luftëtarë, jo më shumë”, tha Çeku.

Ai thotë se brenda Komisionit kishte vendim që për shkak të unifikimit të çdo luftëtari, mos të përmendet Brigada përmes së cilës kanë shërbyer.

“E di që z. [Rrustem] Berisha ka biseduar edhe me Sami Lushtakun, edhe Nuredin Lushtaku ka qenë në atë takim. Edhe ai dhe të gjithë thanë se nuk kanë dëgjuar për këtë Brigadë, ndoshta është dobësi e jonë, në asnjë skemë nuk ka ekzistu".

“Mirëpo, bëhet fjalë për një listë të cilën ai e ka titulluar ashtu dhe ata emra janë verifikuar si emra, dhe jo si Brigadë. Kjo është strukturë dhe është prezantuar si strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes e Republikës së Kosovës në ekzil. Iu ka prezantuar Rrustemit dhe është trajtuar çdo aplikacion veç e veç dhe jo si Brigadë, dhe nuk është e vërtetë që e kemi shpikur një Brigadë vetëm për të arsyetuar numrin”.

Çeku bëri të ditur se janë pranuar të gjithë emrat të cilët janë prezantuar në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes.

21:08

Çeku thotë listat e veteranëve u frynë në terren

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku pajtohet se listat e veteranëve janë të fryra.

Ai në Rubikon të KTV-së ka thënë se kjo u bë në terren.

“Numri ka dalë më i madh. Mua po më duket se nuk ka qenë ky numër, por hajde ta hetojmë, sepse këto [fryrje] nuk i ka bërë Komisioni, por janë bërë në terren”, tha Çeku.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës e nxitoi punën e Komisionit duke kërkuar që brenda një jave ta përfundojnë punën dhe t’i dorëzojnë listat.

“Më 13 maj 2016, Qeveria ka marrë vendim që në afat prej një jave të përfundojë punon dhe të sjellë listat. U kam thënë sillni listat, dhe secili përgjegjës për zonën e vet, e kemi pas për detyrë t’i sjellim listat me të gjitha të dhënat, edhe të bashkëngjisim një deklaratë ku thotë, ‘unë, me përgjegjësi morale, juridike e komanduese, deklaroj se këta janë veteranët e zonës x’”, u shpreh ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku.

“Kur i kemi mbledhur listat, na kanë dalë 46 mijë e 230 veteranë. Unë nuk di pse tash po thonë që janë 60.000 e s’di sa, raporti zyrtar që unë e kam nënshkruar ka qenë 46 mijë e 230 ushtarë”, deklaroi Çeku.

“Ne e kemi kuptuar në Komision një ditë para se ta dorëzojmë në Qeveri, është edhe në procesverbal, se na ka dal numri më i madh se që kemi pritur, por s’kemi çka të bëjmë, duhet t’i dorëzojmë deri më datën 20 maj, 2016”.

“Ekziston materiali dhe e ka prezantuar prokurori, Qeveria e aprovon pa asnjë votë kundër, pra, qeveria e Kosovës, si organ ekzekutiv në vend, është pajtuar që në luftën e UÇK-së kanë qenë 46 mijë e 230 veteranë, Qeveria e Isa Mustafës. Aty përfundon puna e komisionit, më 20 maj 2016”, u shpreh Çeku, ndaj të cilit ka aktakuzë për fryrjen e listave.

Çeku ka thënë se nëse qeveria e Kosovës nuk do ta votonte, do thoshte që numri është i madh, atëherë çështja do të kthehej dhe Komisioni do të fillonte punën nga e para.

21:02

Çeku flet për intervistën me prokurorin Blakaj

Ish shefi i UÇK-së, Agim Çeku në një intervistë ekskluzive për Rubikon të KTV-së, ka folur për intervistën që kishte me atëherë prokurorin Elez Blakaj.

Çeku, ndaj të cilit ka aktakuzë për çështjen e fryrjes së listave të veteranëve, ka thënë se i kishte ofruar atij të gjitha skemat organizative të UÇK-së, në mënyrë që t’i ndihmojë atij për ta kuptuar çështjen.

“Në bisedën me të unë e kam ftuar që t’i ndihmoj, t'ia sqaroj pak. I kisha me vete të gjitha skemat organizative të krejt UÇK-së, zonës operative, batalioneve, brigadave. Nuk ka dashur t’i marrë”, ka thënë Çeku, duke shtuar se Blakaj ishte arsyetuar se nuk i duhen.

“E kam parë gjatë intervistës se ai nuk e kupton as funksionimin e ushtrisë, as përbërjen e strukturën e luftës. Nuk mundesh t'i sqarosh çështjet e një ushtrie, sidomos një ushtrie vullnetare, me logjikën civile”, ka shtuar Çeku.

Ai thotë se në cilësinë e dëshmitarit nuk u mor në pyetje nga prokurori Blakaj.

Sipas tij, ata vetëm kanë biseduar, por nuk është marrë në pyetje.

“Asnjëri prej nesh nuk e ka ditur që do të jetë i akuzuar. E ftoj publikisht që të thotë se kush prej nesh i ka thënë që ta lë këtë punë, unë nuk i kam thënë dhe as nuk besoj që i ka thënë dikush tjetër”, potencoi ish-shefi i UÇK-së.

Hetimi i vërtetësisë së statusit të veteranëve të UÇK-së nga prokuroi Blakaj, sipas Çekut, u bë vetëm përmes aplikacioneve, e jo në bazë të emrave e detajeve tjera.

Çeku thotë se nuk mund të pajtohet me asnjë nga deklaratat e ish bashkëpunëtorëve të tij, si Xhavit Haliti, Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi, meqë siç thotë ai, nuk mund ta dinë numrin dhe ata po thonë çka është e pëlqyeshme në opinion publik.

“Ata pa vetëdije e bëjnë këtë punë, thjeshtë i kanë ndjek trendet e opinionit publik që të jenë të pëlqyeshme në opinion publik. Unë jam ushtarak dhe tërë jetën kam mësuar për luftë edhe fatkeqësisht e kam përjetuar, ushtria funksionon me standarde e statistika. Unë nuk mund të pajtohem si qytetar i këtij vendi kurrë se nëse janë 12 mijë në luftë, vetëm 0.6 për qind e këtij populli kanë marrë pjesë në luftën tonë”, shtoi Çeku.