Arbëri

Malazezët protestojnë kundër hidrocentralit të Shqipërisë në lumin e përbashkët të Cemit

Me dhjetëra aktivistë pro-ambientit kanë organizuar një protestë me biçikleta nga kryeqyteti i Malit të Zi deri në kufi me Shqipërinë të shtunën për të protestuar kundër ndërtimit të një pende nga pala shqiptare në lumin e Cemit, lumë ky që kalon përmes dy vendeve.

Protestuesit janë kundër planeve për ndërtimin e rreth 3000 hidrocentraleve të vogla.

Në demonstratën e së shtunës, disa protestues mbanin pllakate në duar me mbishkrimet “Cemi është pasuria jonë”, “Mos e futni Cemin në gypa”, e të tjera, raporton Reuters.

Kritikët thonë se pendat po i rrezikojnë edhe lumenjtë e fundit, përfshirë edhe Cemin.

“Kur bllokoni arteriet në një trup njeriu, njeriu vdes; po ashtu edhe lumenjtë”, ka thënë Adem Kajosaj, 60 vjeç, pensionist dhe peshkatar nga zona përreth qytetit kufitar të Tuzit, që iu bashkua protestës, transmeton Koha.net.

Një pendë në lumin 60 kilometërsh tashmë po ndërtohet, dhe protestuesit thonë se Shqipëria nuk ka kërkuar pajtim nga autoritetet malazeze e as i ka njoftuar ata për projektin.

Ata kanë kritikuar edhe autoritetet malazez se kanë dështuar të lëshojnë një notë proteste ndaj Shqipërisë.

Shumica e hidrocentraleve të vogla në rajon prodhojnë jo më shumë se nga 1 megawatt (MW) – që mund të furnizojë më së shumti 750 shtëpi, por ambientalistët thonë se ato po i shkatërrojnë shtigjet e migrimit të peshqve dhe janë kërcënim për dhjetëra specie, përfshirë edhe Salmonin e Danubit dhe Rrëqebullin ballkanik.