Dy kërkesa nga Çavusoglu, mbyllja e shkollave dhe ekstradimi i të lidhurve me Gylenin

19 October 2018 23:38

Ekstradim të turqve të lidhur me Gylenin dhe mbyllje të shkollave të tij ka kërkuar ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, në një takim me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ai tha se “Feto është organizatë terroriste”.

“Fetoja është një organizatë terroriste dhe nuk do të lejojmë që fëmijët tanë të shkollohen në shkolla të tilla. Ne nuk duam që vendi ynë vëlla t’i lejojë terroristët të jetojnë këtu dhe duam që t’i kthejmë të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Por, ndryshe ka folur për shkollat e organizatës Marif, që është e lidhur me presidentin turk, Taip Erdogan.

Çavusoglu tha se organizata “Marif” synon të hapë shkolla të tjera në Kosovë, nëse i lejohet.

Pacolli nuk ka përmendur çështjen e deportimit të turqve, por ka thënë se Kosova gjendet para disa sfidave të integrimit, për të cilat tha se Turqia do të qëndrojë krah Kosovës.

Çavusoglu ka takuar edhe presidentin Hashim Thaçi. Ky i fundit derisa ka postuar një fotografi të takimit, ka thënë se Turqia është mbështetëse besnike e Kosovës në shtimin e njohjeve dhe antarësimin në organizata ndërkombëtare.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme