Arbëri

Policia e Kosovës intensifikon hetimet për kërcënimet ndaj Arbana Xharrës

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka nisur prej disa ditësh hetimet intensive në rastin e kërcënimeve ndaj kryeredaktores së të përditshmes “Zëri”, Arbana Xharra.

Xharra bëri me dije, në fillimjavë, se “është kërcënuar përmes vizatimeve të një kryqi me ngjyrë të kuqe në hyrjen e objektit ku banon dhe në një vendparkim të veturës së saj”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë se “policia ka nisur prej disa ditësh hetimet intensive në rastin e Arbana Xharrës”, por nuk dha ndonjë hollësi rreth motiveve dhe as edhe kryesve të mundshëm të veprës.

Kryeredaktorja e të përditshmes “Zëri” ka bërë të ditur se edhe më herët është përballur me kërcënime për shkak “të punës së saj”.

Ajo i tha, të hënën Zërit të Amerikës se “ka kohë që merret me radikalizëm fetar dhe me ndikimin e agjendës së (presidentit turk Recep Tayyip) Erdogan në Kosovë dhe Maqedoni dhe se kohët e fundit i janë bërë shumë linçime si në Kosovë edhe në Maqedoni”.

Policia e Kosovës ndërkaq tha për Radion Evropa e Lirë se po zhvillon hetimet edhe për rastet e mëhershme të kërcënimeve ndaj Xharrës, por nënvizoi se “nuk po i ndërlidhë me rastin e fundit të ndodhur para disa ditësh”.

Kërcënimet ndaj Arbana Xharrës i ka cilësuar shqetësuese Asociacioni i Gazetarëve në Kosovë, i cili ka kërkuar nga “organet e rendit që t’i zbardhin sa më parë njoftimet për kërcënime ndaj saj”.

Kërcënimi ndaj Xharrës ka shkaktuar një valë reagimesh në Kosovë të spektrit politik, por edhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Arbana Xharra është laureate e Çmimit Ndërkombëtar për Gra të Guximshme, që ndahet nga Sekretari Amerikan i Shtetit.