Arbëri

Ftohen për protestë ata që kundërshtojnë kapjen e shtetit e ndikimin e politikës në drejtësi

Kapjen e shtetit dhe ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, të mërkurën, do ta kundërshtojnë qytetarët, përmes protestës, e cila do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Protesta, e cila do të fillojë nga ora 18:00 në këtë shesh, do të vazhdojë edhe para zyrës së Prokurorisë si dhe Qeverisë.

Përmes kësaj proteste, organizatorët, të cilët i ftojnë të gjithë qytetarët të jenë pjesëmarrës, do të kërkojnë shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi si dhe procesin e Vettingut.

Njëri ndër organizatorët, Shkëlzen Gashi, ka thënë se letra e hapur e ish-prokurorit Elez Blakaj, e cila shpërfaq ndikimet e sistemit të drejtësisë nga grupe të ndryshme të interesit, është arsye e mjaftueshme për të protestuar.

Ndërkaq, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se do ta përkrahë protestën e së mërkurës, pasi që, sipas tij, procesin e Vettingut në polici, prokurori dhe gjyqësor, i cili duhet të bëhet nga ndërkombëtarët, e kanë kërkuar kohë më parë.

Madje, sipas tij, deklaratat e Aleksandër Lumezit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj janë skandaloze dhe kërcënim për prokurorët dhe gjykatësit.

Protesta e së mërkurës nuk do të jetë e fundit, pasi që organizatorët planifikojnë që në vazhdimësi të protestojnë kundër kapjes së sistemit të drejtësisë, të cilit, në bazë të hulumtimeve, 90 për qind e qytetarëve nuk i besojnë fare.